Forcat ruse që kontrollojnë centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja kanë vrarë dy punonjës në objekt dhe kanë arrestuar dhjetëra të tjerë, i tha AFP-së të premten kreu Agjencisë për Energji Bërthamore të Ukrainës, Petro Kotyn.
Centrali bërthamor i Zaporizhjas, më i madhi në Evropë, u mor nga trupat ruse në mars.
Këto akuza vijnë në kohën e raportimeve për granatime të reja përreth gjashtë reaktorëve të centralit, teksa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore.
Moska dhe Kievi fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e situatës.
“Dy persona janë rrahur për vdekje. Nuk e dimë as ku janë rreth dhjetë të tjerë tani, që janë marrë (nga rusët) dhe pas kësaj nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tyre”, tha Kotin, duke shtuar se rreth 200 persona janë arrestuar.
Ai e përshkroi situatën aktuale në uzinë si "shumë të vështirë", duke përmendur "torturat" e stafit dhe "rrahjet e personelit".
Afër 11.000 persona punonin në Zaporizhja para se centrali të binte nën kontrollin rus në mars të këtij viti, disa ditë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Your browser doesn’t support HTML5
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore raportoi gjatë kësaj jave se inspektimi i fundit në Zaporizhja tregoi se në këtë central ka një situatë të paqëndrueshme dhe duhen ndërmarrë “masa urgjente” për të shmangur një aksident bërthamor.
Kjo agjenci ka paralajmëruar se mungesa e stafit dhe stresi me të cilin përballen punëtorët, rrezikojnë që të shkaktojnë edhe probleme në operimin e centralit.
Dy prej 14 inspektorëve të OKB-së po vazhdojnë të qëndrojnë në Zaporizhja për të monitoruar situatën e sigurisë.
Më 7 shtator, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se “granatimet kanë dëmtuar linjat elektrike të Zaporizhjës”, duke shtuar se këto dëme minojnë sigurinë bërthamore në këtë uzinë.