Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e ka quajtur “ditë të madhe” vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për nisjen e bisedimeve në qershor të vitit 2019.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Zaev ka thënë vendimi paraqet mirënjohje për punën e bërë në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
“Edhe një ditë e madhe për Republikën e Maqedonisë. Edhe një mirënjohje e madhe për vendin tonë. Këshilli i Ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në seancën e sotme vendosi që bisedimet për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë, në qershor të vitit 2019. Bashkimi Evropian dhe liderët e të gjitha shteteve anëtarëve kanë vlerësuar ndryshimet pozitive në Maqedoni, procesin e reformave dhe dialogun. Shteti i cili me vullnetin e fuqishëm politik dhe qëllimmirë po i zgjidh kontestet me fqinjët, po dëshmon vizionin e qartë për të ardhmen evropiane. Rruga e reformave dhe ndërtimit të vendit, si shtet i rregullave evropiane, është proces i pakthyeshëm”, ka shkruar Zaev.
-Mogherini i thur lëvdata Maqedonisë
Por, në vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, në Luksemburg thuhet se vendimi është i kushtëzuar dhe se nisja e bisedimeve varet nga përmbushja e katër kushteve: zbatimi i marrëveshjes për emrin, reformat urgjente në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar.
“Këshilli i BE-së vendosi që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë për BE-në dhe kërkohet nga Komisioni Evropian që të përgatisë nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, por kuptohet me nevojën që të përmbushen disa kushte. Nuk janë kërkesa të fuqishme por kuptohet ato duhet të përmbushen. Vendet e Ballkanit Shqipëria dhe Maqedonia duhet të shpërblehen për atë që kanë bërë vitin e kaluar”, ka deklaruar Gernot Blumel, ministër i Austrisë për BE-në.
Mediat transmetojnë edhe një qëndrim të Komisionerit për zgjerim të Bashkimit Evropës, Johannes Hahn, në Twitter, ku ka shprehur kënaqësinë e tij që Këshilli Evropian, pas një debati të gjatë më në fund i dha dritë të gjelbër konkluzioneve për zgjerimin e Evropës, veçanërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Jam i lumtur që Këshilli Evropian sheh një dritë për konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë dhe të ardhmen e Maqedonisë Veriore, pas një debati të gjatë. Çështja e hapjes së negociatave është e qartë në qershor 2019. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, ka shkruar Hahn.