Platforma YouTube ka nisur fushatë kundër dezinformatave të lidhura me vaksinim të qytetarëve kundër koronavirusit, që ka rezultuar me fshirje të personave me ndikim që janë kundër vaksinimit dhe largim të pretendimeve të rreme për imunizimet.
Zyrtarë të platformës kanë thënë se kanë vërejtur që keqinformacioni për vaksinat e koronavirusit është përhapur në procesin e vaksinimit në përgjithësi dhe “tani jemi në një periudhë kur është më e rëndësishme se kurrë që të zgjerojmë punën që kemi nisur me COVID-19 edhe për vaksinat tjera”.
Sipas rregullave të reja, secila përmbajtje që sugjeron rrejshëm se ndonjëra nga vaksinat e miratuara është e rrezikshme apo shkakton probleme kronike shëndetësore, do të fshihet.
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe materialet që përmbajnë keqinformacione për përmbajtjen e vaksinave, do të fshihen po ashtu.
“Politikat tona nuk mbulojnë vetëm imunizimet specifike rutinore sikurse fruthi apo Hepatiti B, por edhe për vaksinat tjera në përgjithësi”, ka thënë YouTube.
Përpjekjet e kësaj platforme për të ndalur rrjedhën e dezinformatave vijnë teksa shtetet në gjithë botën janë duke tentuar të bindin njerëzit që hezitojnë të marrin vaksinën kundër COVID-19, që të pranojnë imunizim falas.
YouTube nuk ka ofruar detaje sa llogari janë mbyllur, mirëpo ka thënë se prej shpërthimit të pandemisë vitin e kaluar, janë fshirë mbi 130,000 video.