Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) tha të mërkurën se aktivistët e saj i mbuluan me ngjyrë grafitet me mesazhe “urrejtëse” në muret e shtëpisë së një familjeje serbe të Kosovës në një fshat afër qytetit verilindor të Kosovës, Vushtrri.
YIHR KS tha në Facebook se mori pëlqimin e Policisë së Kosovës dhe familjes Gjurkoviq në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë – rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë – për t’i mbuluar mesazhet “urrejtëse që synojnë frikësimin e kësaj familje serbe në Kosovës”.
“YIHR KS beson fuqishëm se të gjithë kanë të drejtë për siguri dhe mirëqenie në Kosovë, pavarësisht nga etnia e tyre – një akt i tillë nuk është vetëm vandalizëm; është një akt i qëllimshëm urrejtjeje”, tha kjo Nismë në një reagim në Facebook.
Policia e Kosovës tha më 28 korrik për portalin Kossev në Mitrovicë të Veriut se ka hapur një hetim për vandalizëm në lidhje me grafitet në muret e shtëpisë së familjes Gjurkoviq.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha më 28 korrik se grafitet u shkruan nga “ekstremistët shqiptarët”, pa dhënë ndonjë dëshmi.
“Është e qartë se ky nuk është rast i izoluar, por fushatë e sinkronizuar nga ekstremistët shqiptarë për t’i përjashtuar serbët nga vatrat e tyre me kërcënime kaq të hapura dhe nën urdhrin e Albin Kurtit [kryeministrit të Kosovës]”, tha ajo në uebsajtin e saj.
Grafitet përmbanin akronimin e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe emrin e Faton Hajrizit, i cili u vra nga autoritetet serbe më 19 korrik në qytetin Lloznicë të Serbisë, pasi dyshohet se kishte vrarë një polic serb. Hajrizi ishte arratisur nga një burg në Kosovë.
SHIKONI EDHE: MPJD: Konfirmohet se personi i vrarë në Serbi është Faton HajriziNdërkohë, në korrik të vitit të kaluar, një serbi të kthyer në në fshatin e tij të lindjes, Veriq, në Istog, iu dogj shtëpia e porsandërtuar, nga persona të panjohur.
Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe dëbuan rreth 800.000 shqiptarë të Kosovës, shumica e të cilëve u kthyen pas përfundimit të konfliktit.
Mirëpo, atëherë filloi emigrimi i serbëve dhe procesi i kthimit është ende në vazhdim.
Nga rreth 250.000 serbë të zhvendosur, afërsisht 30.000 janë kthyer në 20 vjetët e fundit, sipas të dhënave nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës.