Deklarata për media e lëshuar nga një kompani në Shën Petersburg e quajtur Concord Catering and Management, ishte e drejtpërdrejtë: Kryetari i zgjedhur i qytetit të dytë më të madh të Rusisë është mashtrues, sugjeroi deklarata.
Prokurorët duhet të hetojnë “faktin për krijimin e mundshëm nga guvernatori [Aleksandr] Beglov të një komuniteti të organizuar kriminal në territorin e Shën Petersburgut me qëllim të plaçkitjes së buxhetit shtetëror dhe pasurimit të zyrtarëve të korruptuar që ka nën tutelë”, tha kompania përmes deklaratës së lëshuar më 31 tetor, që i ishte drejtuar Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Kombëtar.
Në arenën ku shpesh takohet politika ruse dhe biznesi, këto lloj akuzash mund të duken normale.
Por, biznesmeni që po bën akuza të tilla kundër një kryetari të zgjedhur dhe të pushtetshëm, është oligarku Yevgeny Prigozhin, pasuria e të cilit vjen nga kontratat në fushën e gastronomisë dhe fama e tij vjen edhe nga pronësia e kompanisë private të mercenarëve, Vagner, që njihet edhe me emrin Wagner.
Inatet midis Prigozhinit dhe Beglovit kanë nisur disa vite më herët, por përplasja e fundit vjen pasi Prigozhin është vendosur edhe më shumë në qendër të vëmendjes të politikës ruse, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e luftës në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Telashe edhe në fushëbetejë, edhe në KremlinPrigozhin ka qenë një nga kritikët më të ashpër të qasjes së komandantëve rusë ndaj pushtimit të Ukrainës. Sipas ligjeve ruse, aktualisht është e paligjshme që rusët të kritikojnë ose “diskreditojnë” forcat e armatosura ose të kenë në pronësi apo të operojnë kompani private mercenare.
“Është shumë e dukshme që Prigozhin e ka gjetur momentin e duhur për të zgjeruar profilin e tij publik”, tha Candace Rondeaux, hulumtuese në Fondacionin Amerika e Re në Uashington. Ajo njëherësh është edhe autore e një raporti të vitit 2019 të titulluar “Dekodimi i grupit Wagner”.
“Ai nuk është asgjë tjetër veçse një opurtinist, këtë gjë e tregon karriera e tij, dhe kjo tregon se mund të ketë shpërblime për çdo aktivitet që mbështet luftën”.
“Në të vërtetë, ai tani është në kulmin e fuqisë së tij politike dhe të ndikimit politik”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë dhe shtoi se kjo po ndodh “për shkak të natyrës së kësaj faze të luftës, që i ka lejuar atij të anojë në rolin e tij si kapiten i një shteti dashakeq”.
Andrei Kolesnikov, ekspert i politikës ruse dhe hulumtues i lartë në Institutin për Ndihmë të Paqes Ndërkombëtare Carnegie, tërhoqi paralele me Grigory Rasputin, murgun mistik që kishte ndikim mbi familjen e carit të fundit të Rusisë në vitet 1910.
“Në kuptimin e ndikimit të tij, të paktën në sferën publike, ai nis e i ngjan Rasputinit në kohën e Nicholas II”, tha Kolesnikov për Current Time.
“Dhe natyrshëm shumë tani po mendojnë nëse ky person është, le të themi, kandidati i ardhshëm për president apo një figurë që mund të hyjë në sferat më të larta të politikës, që godet me bërryla këdo që i afrohet”, tha Kolesnikov.
“Vetë i kam pastruar armët e vjetra”
Përderisa Prigozhin e nisi karrierën e tij si pronar restorantesh dhe furnizues i ushqimeve në qytetin e tij Shën Petersburg, ai arriti sukses financiar vetëm kur fitoi kontrata për të ofruar shërbime ushqimore për Kremlinin. Emri Concrod përdoret për një sërë kompanish të lidhura me të.
Ndërkaq, origjina e saktë e Vagnerit është e mbështjellë me mister, por gazetarët dhe hulumtuesit rusë, sikurse Rodeaux, thanë se kompania ka evoluar nga një rrjet i kompanive private të sigurisë, të drejtuara nga ish-ushtarët e forcave speciale ruse.
SHIKONI EDHE: Rusia “po rekruton ushtarë afganë të trajnuar nga SHBA-ja”Ushtarët e këtij grupi besohet se kanë luftuar në Donbas të Ukrainës, pasi Rusia nxiti nisjen e luftës në këtë rajon më 2014.
Pasi Kremlini urdhëroi një intervenim të madh në Siri për të mbështetur regjimin e diktatorit sirian, Bashar al-Assad, më 2015, ushtarët e Vagnerit fituan më shumë reputacion për brutalitetin e tyre, teksa ofruan siguri për diplomatët, ruajtën ndërtesat e naftës dhe gazit si dhe stërvitën milicitë lokale. Mercenarët e Vagnerit po ashtu është raportuar se kanë qenë në Republikën e Afrikës Qendrore ku kanë qenë të përfshirë në operacione për mihjen dhe eksportin e diamanteve dhe mineraleve të tjera të çmueshme.
Gazetarët rusë kanë identifikuar ish-ushtarin e inteligjencës ushtarake ruse, të quajtur Dmitry Utkin, si kreun e Vagnerit. Utkin kishte marrë pjesë në një ceremoni luksoze të Kremlinit më 2016.
Pronësia e grupit Vagner nga Prigozhin ka qenë një sekret publik në Rusi për vite me radhë.
Në shtator, ai konfirmoi se Vagner është në pronësi të tij.
“Unë vetë i kam pastruar armët e vjetra, vetë i rregulloja jelekët anti-plumb dhe gjeta specialistë për të më ndihmuar për këtë”, tha ai përmes një deklarate më 26 shtator të publikuar nga Concord Management and Consulting në rrjetin social VK. “Më 1 maj të vitit 2014 lindi një grup patriotësh, të cilët më vonë morën emrin ‘Vagner’”.
Një tjetër kompani e financuar nga Prigozhun, origjina e të cilës është e mbështjellë me mister, quhet Agjencia për Hulumtime në Internet. Kjo kompani është e specializuar në krijimin e llogarive të rreme për Facebook dhe për mediat e tjera sociale dhe për shpërndarjen e dezinformatave dhe propagandës. Më vonë, kompania u përfshi edhe në konspiracionin për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
Dy vjet më vonë, një juri e madhe në SHBA e paditi Prigozhinin dhe 12 rusë të tjerë, si dhe Agjencinë për Hulumtime në Internet.
Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt, mercenarët e Vagnerit ishin në mesin e disa njësive të parregullta që luftuan përkrahë forcave të rregullta ruse. Luftëtarët e Vagnerit luajtën rol kyç në marrjen e qytetit-port të Maripolit nga Rusia si dhe të qytetit Severodonjeck në rajonin e Luhanskut. Ata raportohet se janë të përfshirë edhe në sulmin që po vazhdon në Bahmut, që gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut.
Gjatë verës, kur lufta nisi të humbte fuqinë, një numër në rritje i blogerëve ushtarakë rusë shprehën zhgënjimin e tyre me komandantët dhe me mosvullnetin e Kremlinit për të shpallur një mobilizim të përgjithshëm ushtarak apo për të dërguar më shumë burra në luftë.
Prigozhin në shtator mori përsipër vetë që të gjente më shumë burra për luftë, kur doli një video në aplikacionin Telegram në të cilën ai shfaqej në një burg – në një vend rural të Rusisë – duke u premtuar të dënuarve lirim të parakohshëm nëse ata do të regjistroheshin që të shkonin për gjashtë muaj në luftë në Ukrainë.
*Video nga arkivi: Prigozhin rekruton mercenarë në burgje
Kritikat ndaj luftës u rritën pasi forcat ukrainase rimorën pjesë të territorit në rajonin verilindor të Harkivit dhe përparuan kundër forcave ruse në rajonin jugor të Hersonit.
Në mesin e kritikëve ishin Prigozhin dhe lideri çeçen Ramzan Kadyrov, që bënë thirrje për përshkallëzim të madh dhe ndryshime të mëdha në komandën ruse.
“Dërgoni të gjithë ata bastardë këmbëzbathur, me mitraloza, në frontin e luftës”, tha Prigozhin përmes një deklarate të publikuar nga kompania e tij, pasi Rusia u tërhoq nga Harkivi.
SHIKONI EDHE: Putin përballet me zemërimin e rusëve për humbjet në UkrainëMë 29 tetor, një prej gjeneralëve që u kritikua për shkak të tërheqjes nga Harkivi – gjeneralkolonel Aleksandar Lapin – u raportua se është hequr nga komanda e tij.
Tri javë më herët, gjatë një ndryshimi të strukturës komanduese në Ukrainë, Putin emëroi një komandant të përgjithshëm për luftën, gjeneralin Sergei Surovikin, i cili më pas nisi një fushatë të ashpër të sulmeve me raketa dhe dronë ndaj caqeve civile në Ukrainë.
Surovikin, emërimi i së cilit në krye të komandës për Ukrainën u mirëprit nga Prigozhin dhe personat e tjerë që kritikuan mënyrën e luftës së Rusisë, më herët kishte qenë komandant kryesor i Rusisë në Siri – në kohën kur forcat e Vagnerit luajtën një rol aktiv brenda dhe jashtë fushëbetejës.
“Surovikin është ai personi që i dha hapësirë Prigozhinit të bëhej ai që është bërë sot”, tha Rondeaux.
SHIKONI EDHE: Kush është gjenerali rus i ngarkuar të fitojë luftën në Ukrainë?Luftë inatesh
Lufta e Prigozhinit me Beglovin nuk është diçka e re, por me gjasë daton që nga viti 2018, kur Beglov u emërua guvernator i Shën Petersburgut, dhe një vit më pas fitoi zgjedhjet lokale. Novaya Gazeta Europe tha se përplasjet e tyre vijnë nga një përleshje për financimin e fushatës së Beglovit, por edhe për zhvillimin e sektorit të patundshmërisë në Gjirin e Finlandës.
Prigozhin ishte po ashtu prapa disa videove që tallnin Beglovin.
Në shtator, një tjetër organizatë e lidhur me Prigozhinin, organizatë që e portretizon veten si grup avokues për veteranët, kërkoi që Komiteti Hetues kombëtar të hetonte se si zyrtarët e Shën Petersburgut po kryenin fushatën për mobilizim, që kishte për qëllim rritjen e numrit të ushtarëve në Ukrainë, Grupi po ashtu sugjeroi se familjarët e Beglovit mund të tentojnë që t’i shmangen mobilizimit.
Megjithatë, koha e përplasjes së fundit është edhe më e favorshme. Novaya Gazeta Europe e quajti “përballje të fundit” dhe “sensacion”. Gazeta Petersburg Vestnik tha se popullariteti i Pirgozhinit “është në rritje” të madhe.
Në të njëjtën ditë që Prigozhin bëri thirrje për hetim, ai njoftoi për hapjen e një qendre biznesore në Shën Petersburg, të quajtur Qendra Vagner.
Një yll politik në ngritje?
Përgjigja në pyetjen nëse Prigozhin do të ndjekë karrierë politike është ende e hapur.
Megjithatë, “nëse do të kishte ndonjë rrugë të mundshme që Prigozhin të bëhej politikan, ajo do të ishte në Shën Petersburg”, tha Rondeaux. “Nuk do të jetë në Moskë, apo diku në Urale”.
“Mendoj se ai pret të shpërblehet. Atij nuk i duhen para, tani ai do të preferonte të kishte një peshë politike dhe ndikim”, tha ajo.
“Ai e ka paraqitur veten si një forcë politike, duke përdorur statusin e tij popullor dhe lidhjet e tij me Vagnerin për të kritikuar kundërshtarët e tij brenda qarqeve të elitave dhe për të institucionalizuar autoritetin e tij”, u tha në një raport të Institutit për Studimin e Luftës, me seli në Uashington.
Prigozhin, që nuk ishte i qasshëm për koment, ka dhënë një intervistë për Petersburg Vestnik, në të cilën ai u pyet për aspiratat e tij politike.
“Sa i përket rritjes së popullaritetit tim, unë nuk vuaj për popullaritet”, citohet të ketë thënë ai. “Detyra ime është të përmbush obligimet e mia për atdheun dhe sot nuk planifikoj të financoj ndonjë parti politike, e lëre më të futem në politikë”.
Ndikimi politik i Prigozhinit në Kremlin po ashtu është një pyetje e hapur. Analistët që e kanë përcjellë karrierën e tij, thanë se ai ka mbështetës të fuqishëm, që i kanë lejuar atij të rrisë bizneset dhe të punojë së bashku me strukturat e ushtrisë ruse.
Dhe kritikat e tij për mënyrën se si po zhvillohet lufta në Ukrainë kanë pasur ndikim në qarqet nacionaliste ruse, qarqet ushtarake dhe ato të sigurisë.
Prigozhin raportohet se është ankuar direkt te Putinin për menaxhimin e luftës, ka raportuar The Washington Post, media që tha se inteligjenca amerikane ka njohuri për bisedat e tij private me Putinin.
“Ata janë drejt përplasjes”, tha Kolesnikov për Current Time.
“Prigozhin qartazi është i uritur për pushtet. Ai është një njeri shumë i fortë, dhe në shumë mënyra është edhe mizor. Ai ka një karizmë negative prej djalli, dhe në një farë mënyre, karizma e tij mund ta sfidojë atë të Putinit”, tha ai.
“Por, Putin tani ka nevojë për të në këtë rol që aktualisht ka. Ai po i jep [Prigozhinit] gjithnjë e më shumë fuqi dhe i jep një sërë funksionesh”, tha Kolesnikov.