Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e përshkroi situatën në Ukrainë si shqetësuese dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.
Xi i bëri komentet gjatë një takimi virtual me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, raporton transmetuesi shtetëror kinez CCTV.
Xi tha se prioritet duhet të jetë parandalimi i daljes jashtë kontrollit të situatës në Ukrainë dhe shtoi se të tria vendet duhet t’i mbështesin bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Kina dhe Rusia aktualisht gëzojnë marrëdhënie të ngushta diplomatike.
Pekini nuk e ka dënuar sulmin rus kundër Ukrainës, por ka shprehur “keqardhje” për të.
SHIKONI EDHE: Australia i kërkon Kinës të marrë anën e UkrainësNë një votim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që dënonte pushtimin e Ukrainës, Kina ka abstenuar.
Për takimin e sotëm virtual, Franca dhe Gjermania nuk kanë komentuar ende.
Të hënën, edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka biseduar me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi - për herë të dytë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.
- Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.
Kombet e Bashkuara thanë të martën se numri i të zhvendosurve nga lufta në Ukrainë ka kaluar dy milionë.