Xi në Serbi premton thellim të bashkëpunimit dhe mbështetje për çështjen e Kosovës

Your browser doesn’t support HTML5

“Tajvani është Kinë”: Vuçiq mirëpret Xinë në Serbi

Është vendi i parë në Evropë me të cilin Kina po ndërton një komunitet me të ardhme të përbashkët - kështu e përshkroi presidenti kinez, Xi Jinping, Serbinë, gjatë vizitës së tij në Beograd, më 8 maj.

“Serbia dhe Kina e mbështesin fort njëra-tjetrën në interesat dhe shqetësimet e përbashkëta dhe ne kemi një marrëdhënie të fortë politike që kontribuon në këtë komunitet”, tha Xi.

SHIKONI EDHE: Xi Jinping në Beograd, me synim për ta shtrirë ndikimin e Kinës në Evropë

Bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai nënshkroi një deklaratë për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve nga niveli i partneritetit strategjik në “ndërtimin e komunitetit të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

“Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha Vuçiq për mediat, pas një sërë takimesh dypalëshe që zhvilloi me Xinë.

Xi arriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit dhe, përveç takimeve me Vuçiqin, dëshmoi edhe nënshkrimin e më shumë se 30 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të kontratave tregtare.

Presidenti kinez, Xi Jinping (majtas) dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq (djathtas) nënshkruajnë dokumente dypalëshe gjatë një takimi në Beograd, më 8 maj 2024.

“Mbështetja” e Xisë për çështjen e Kosovës

Mbrojtja e “interesave themelore dhe afatgjate” ishte një tjetër mesazh i presidentit kinez në Beograd.

Ai tha se Kina dhe Serbia do ta “kundërshtojnë së bashku hegjemoninë dhe politikën e fuqisë”.

Duke vlerësuar se besimi politik i dy vendeve është “i fortë si guri”, dhe se bashkëpunimi praktik mes tyre ka përparuar, Xi tha se Beogradi dhe Pekini kanë një koordinim të ngushtë për çështjet ndërkombëtare.

“Kina mbështet Serbinë në respektimin e pavarësisë së saj dhe ndjekjen e një rruge të zhvillimit që u përshtatet kushteve të saj, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial sa i përket çështjes së Kosovës”, tha presidenti kinez për mediat.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Tajvani është Kinë

Në anën tjetër, Vuçiq, përmes një deklarate të përbashkët me Xinë, përsëriti mbështetjen e tij për “politikën e një Kine”, sipas së cilës, ishulli i Tajvanit, i cili e konsideron veten shtet sovran, është pjesë e territorit kinez.

Vuçiq tha se “Serbia është mike besnike e Kinës”.

“Kur dikush na pyet për çështjet në Kinë, rreth Tajvanit, Ksinjiangut, Hong Kongut... përgjigjet tona janë shumë të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe në përputhje me parimet e politikës kineze dhe të së drejtës publike ndërkombëtare. Kështu ka qenë, kështu do të jetë”, tha presidenti serb.

Deri më tani, Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate ndërkombëtare kundër Kinës, edhe pse Pekini zyrtar është në shënjestër të kritikave për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe përballet me akuza për shtypjen e ujgurëve - një pakicë myslimane që jeton në provincën Ksinjiang.

Vuçiq: Në Kinë kemi një mik

Vuçiq tha, gjithashtu, se ka marrë “mbështetje të fortë nga Kina për të gjitha çështjet e ngritura në kuadër të Kombeve të Bashkuara”.

“Pavarësisht faktit se ne shpesh jemi nën presion prej fuqive më të mëdha të botës, jemi me fat që kemi një mik në Kinë”, tha ai.

Përveç aleancës politike, një rëndësi e madhe iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik.

SHIKONI EDHE:

Hodges: Qeveria serbe të jetë syçelë, bashkëpunimi me Kinën prodhon pasoja negativeLidhjet e Serbisë dhe Bosnjës me KinënBE-ja e shqetësuar për investimet kineze në Ballkan

Vuçiq tha se në tre vjetët e fundit, Kina ishte investuesja më e madhe dhe partnerja e dytë më e madhe në tregtinë e mallrave.

“Eksportet në Kinë janë rritur 140 herë në dhjetë vjetët e fundit. Shkëmbimi tregtar është rritur tetë herë në dhjetë vjetët e fundit, investimet janë rritur 30 herë në dekadën e fundit”, tha Vuçiq.

Marrëveshjen për tregtinë e lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, e cila u nënshkrua në tetor të vitit 2023 dhe pritet të hyjë në fuqi në korrik, Vuçiq e cilësoi si një “kontratë që garanton të ardhmen”.

“Në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm, ne do të jemi në gjendje t’i eksportojmë pothuajse 95 për qind të produkteve tona pa asnjë tarifë”, tha ai.

Kjo marrëveshje është nën vëzhgimin e Brukselit, pasi Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës dyditore të presidentit kinez në Serbi, u nënshkruan rreth 30 marrëveshje dypalëshe dhe kontrata komerciale - nga infrastruktura, ekonomia, minierat, ekologjia, drejtësia, eksporti i produkteve bujqësore, shkenca, sporti, kultura, informacioni e deri te kërkimet hapësinore.

Xinë e pritën mijëra qytetarë të mbledhur para Pallatit të Serbisë në Beograd, duke valëvitur flamuj kinezë dhe serbë, si dhe duke brohoritur “Serbia dhe Kina”.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përshëndesin qytetarët e mbledhur para Pallatit të Serbisë, 8 maj 2024.

Vuçiq i falënderoi ata që, siç tha, erdhën për të përshëndetur “mikun e çeliktë të Serbisë”.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, tha se për vizitën e presidentit kinez në Serbi janë marrë masa maksimale të sigurisë dhe janë angazhuar mbi 6.500 policë.

Përpara se të ndalonte në Beograd, Xi qëndroi edhe në Paris dhe Budapest.

Kjo ishte vizita e parë e tij në Evropë në pesë vjet.

Përgatiti: Valona Tela