Një xhubletë shqiptare e mbrojtur nga UNESCO

Veshja e vjetër rreth katër mijë vjet, xhubleta shqiptare, është marrë nën mbrojtje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO. 

Xhubleta e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Pjesa e poshtme e xhubletës, siç shihet edhe në fotografi, ka një prerje më të lëshuar nga pjesa e pasme, si dhe një vijë të bardhë në fund të saj.

Fundi i xhubletës ka formën e kambanës, ndërsa pjesë të tjera të saj janë kraholi, kërdhokla, brezi, jeleku, stolitë prej sermi.

Xhubleta e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Pjesë e xhubletës janë edhe këllqet prej shajaku ose çorapet e gjata të punuara me fije leshi, që i mbronin këmbët.

Kjo veshje është e qëndisur me mjaft mjeshtëri me fije të arta, temina dhe me rruaza.

Xhubleta ka ngjyrë të zezë, kurse qëndisjet janë të bëra me fije ari ose argjendi, kryesisht ngjyrash të hapura.   

Teknikat e qëndisjes janë edhe gajtanët me forma dhe madhësi të ndryshme. Ato nuk janë thjesht zbukurime, por simbolika të jetës: lule, shqiponja, kryq ose filigranë. 

Në kokë mbahej një shami me ngjyrë të hapur, e lëshuar mbi shpatulla, pra në etnografinë shqiptare gratë nuk i lidhin shamitë, por i lënë të lëshuara.

Vijat horizontale me gajtanë që shpesh lidhin pjesë të veshjes me ngjyrë të errët, e të zbukuruara me lule të vogla me ngjyra të hapura ose të ndritshme, tregojnë shpresë për vazhdimësinë e jetës.

Sipas përshkrimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, xhubleta është veshje e rëndë, me strukturë të ndërlikuar ndërtimi me rripa të zhguntë horizontal.

Me detaje pa shumë ngjyra dhe me sfond të errët, xhubleta është veshur edhe në dasma, por edhe në raste vdekjeje. 

Xhubleta është bartëse e një sistemi vlerash e shenjash kulturore të popullit shqiptar. 

Detaje nga qëndisjet në xhubletën e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Puna për futjen e xhubletës nën mbrojtje të UNESCO-s kishte nisur nga viti 2020. Kurse, dosja për të shpallur xhubletën pasuri të trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESCO-s u dorëzua pranverën e vitit 2021.
 

Xhubleta është një veshje e vjetër që ka jetuar në Ballkan dhe është ruajtur më së miri rrëzë Alpeve të Veriut duke shpalosur madhështi, prezencë, elegancë, simbolikë, autenticitet dhe krenari.

Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë, ende e gjallë në kullën malësore shqiptare. 

Xhubleta shqiptare përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë. Kjo veshje tashmë është nën mbrojtjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO. Xhubleta ruhet edhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës.