Sveçla: Grupe të organizuara dhe individë të maskuar sulmuan zyrtarët në veri

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuar me disa individë të maskuar”, sulmuan me “shok bomba dhe të shtëna në ajër” zyrtarët zgjedhorë dhe ata policorë në veri të Kosovës.

Më 6 dhjetor, Policia e Kosovës konfirmoi se kanë ndodhur disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, në kohën kur policët po shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna me shumicë serbe.

Policia tha se dyshohet se kishte "shkrepje me armë dhe shpërthime".

SHIKONI EDHE: Incidente në veri gjatë përgatitjeve për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se zyrtarët komunalë zgjedhorë u parandaluan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok për të kryer “detyrat zyrtare”.

Sveçla i quajti të papranueshme sulmet, që sipas tij, kanë për qëllim bllokimin e procesit zgjedhor.

“Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush”, tha ai.

Katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kanë mbetur pa kryetarë që nga nëntori, pas dorëheqjes së tyre.

Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

SHIKONI EDHE: Osmani: Bandat kriminale kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në këto katër komuna.