Sveçla: Kemi lëshuar mbi 1 mijë dokumente për hyrje-dalje

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, deri në mesditën e 1 gushtit, janë lëshuar 1.501 dokumente për hyrje-dalje për qytetarët me shtetësi të Serbisë.

Kështu bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili shtoi se pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës – Jarinjë dhe Bërnjak – vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Nga 1 gushti, Kosova ka nisur të lëshojë dokumente për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë. Këtë praktikë Serbia e aplikon qe 11 vjet për shtetasit e Kosovës.

Ky vendim, por edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – nxitën serbët lokalë që të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Ministria fillon lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje në Merdare

Barrikadat nga fshati Rudarë janë hequr, por ende ka barrikada në rrugën që çon për në Jarinjë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se zbatimi i dy vendimeve, për dokumentet dhe targat, do të shtyhet për 30 ditë në momentin që hiqen të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

  • Për më shumë detaje mund të informoheni në live blogun e Radios Evropa e Lirë.