Xhaçka e shokuar me deklaratat e ministrit britanik për migrantët shqiptarë

Ministrja e Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Evropë, Olta Xhaçka.

Ministrja e Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Evropë, Olta Xhaçka, është shprehur e shokuar me deklaratat e ministrit britanik për Imigrim, Robert Jenrick, lidhur me migrantët shqiptarë në Mbretëri të Bashkuar.

Përmes një videoje në rrjetin social, Twitter, Jenrick ka thënë se personalisht ka përcjellë momentet e dëbimit të disa shqiptarëve drejt Tiranës.

"Është ora 4:00 e mëngjesit. Jam këtu për të parë largimin e migrantëve shqiptarë… Jam takuar me stafin fantastik që është duke punuar vazhdimisht për të gjetur shqiptarët, për t’i ndaluar ata, për t’i dërguar në aeroport dhe drejt Tiranës”.

Sipas tij, kjo formë e dëbimit në vendin e origjinës, jo vetëm që ndihmon në sigurim të kufijve, por edhe i bën më të sigurta komunitetet, duke i “larguar kriminelët nga shteti”.

“Këta migrantë, jo vetëm që janë këtu ilegalisht - duke tentuar të mashtrojnë sistemin përmes arritjes me barka të vogla nëpër Kanalin Anglez - mirëpo të tjerë janë kriminelë të rrezikshëm, të cilët janë dënuar për shkelje të lidhura me drogën”, ka thënë ai.

Xhaçka, në anën tjetër, e ka konsideruar gjuhën e përdorur nga ministri britanik si “linçim ndaj gjithë kombit”, disa javë pasi 'kryeministrat e të dyja vendeve kanë përshëndetur rolin e diasporës shqiptare në Mbretëri të Bashkuar".

“Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të mrekullueshme, që kthen mbrapa kujtime të tmerrshme”, ka thënë mes tjerash ajo.

Sipas autoriteteve britanike, më 2022 është shënuar shifër rekorde e njerëzve që kanë kaluar Kanalin Anglez me barka të vogla për të hyrë në Mbretëri të Bashkuar – më shumë se 33.500.