Grupi mercenar rus Wagner është regjistruar në rajonin bjellorus Mahilju si “organizatë edukative”.
Sipas faqes Regjistri Shtetëror për Kompani dhe Sipërmarrësit Individual të Bjellorusisë, Wagner është regjistruar zyrtarisht më 4 gusht si kompani e kufizuar, dhe e përfshirë në “aktivitete edukative”, me seli në Tsel.
Fshati besohet se është i njëjti me atë ku janë stacionuar trupat e Wagnerit në Bjellorusi, pas ndërprerjes së një rebelimi në Rusi më 23-24 qershor.
Dy javë më parë, Radio Evropa e Lirë ka siguruar fotografi nga platforma Planet Labs, në të cilat shihen fortifikimet afër tendave të Wagnerit në Tsel.
Pamjet paraprake të Planet Labs kanë shpërfaqur rritjen e numrit të pajisjeve afër kampit.
Muajin e kaluar, lideri i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ka publikuar një video nga Bjellorusia, duke i mirëpritur luftëtarët e tij dhe duke thënë se ata do të ndihmojnë në shndërrimin e ushtrisë bjelloruse në ushtrinë e dytë më të mirë në botë.
Ende nuk dihet saktë se çfarë do të ndodhë me Prigozhinin dhe trupat e Wagnerit, prej ndërprerjes së rebelimit, kërcënimit më të madh në udhëheqësinë 23-vjeçare të presidentit rus, Vladimir Putin.
Lideri autoritar i Bjellorusisë, aleati i ngushtë i Putinit, Alyaksandr Lukashenka, është përfshirë në bisedime për t’i dhënë fund rebelimit, duke ndërmjetësuar marrëveshje mes Prigozhinit dhe Putinit për t’i pranuar Wagnerin dhe Prigozhinin në Bjellorusi.
SHIKONI EDHE: Kush është Yevgeny Prigozhin?Prigozhin dyshohet se ka qenë disa herë në Rusi prej rebelimit dhe besohet se është duke lëvizur në mes të dy shteteve.
Trupat e Wagnerit kanë luajtur rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, duke ndihmuar në kapjen e një pjese të Bahmutit, pas gati 10 muajve të luftimeve intensive.
Prigozhin ka thënë se i ka humbur 20.000 ushtarë gjatë operacionit në Bahmut.