Ish-komandantit të Wagnerit i kërkohet ta formojë korpusin e vullnetarëve për luftën në Ukrainë

Andrei Troshev.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka angazhuar një ish-ndihmës të shefit të ndjerë të Wagnerit Yevgeny Prigozhin, që t’i mbikëqyrë njësitet vullnetare për të luftuar në Ukrainë, sipas një deklarate të Kremlinit.

“Në takimin e fundit kemi biseduar që ju ta mbikëqyrni formimin e njësiteve vullnetare që mund të kryejnë detyra të ndryshme në zonën ku po zhvillohet operacioni special ushtarak”, është cituar t’i ketë thënë Putini, Andrei Troshevit, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

Në këtë takim, në të cilin ka marrë pjesë zëvendësministri rus i Mbrojtjes Yunus-Bek Yevkurov, është theksuar nevoja për integrim të luftëtarëve të grupit Wagnerit në ushtrinë e rregullt ruse, pas rebelimit të shkurtër të këtij grupi në Rusi, në muajin qershor.

Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, ka vdekur bashkë me nëntë persona tjerë, si pasojë e rrëzimit të një aeroplani që ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg, më 23 gusht.

SHIKONI EDHE: Kremlini thotë se avioni i Prigozhinit mund të jetë rrëzuar qëllimisht

Prigozhin e ka nisur një rebelim të shkurtër më 24 qershor kundër udhëheqësisë ushtarake të Rusisë.

Vëzhguesit e kanë konsideruar këtë veprim si sfidën më të madhe për udhëheqësinë e Putinit.

Prigozhin e ka pati ndalur rebelimin pas arritjes së një marrëveshjeje me Kremlinin, që parashihte largimin e Prigozhinit në Bjellorusi dhe pezullimin e ndjekjes penale.

Troshev, kolonel i pensionuar, i njohur me nofkën “Sedoi” është prej vendlindjes së Putinit, Shën Petersburgut dhe është veteran i dekoruar për fushatat e Kremlinit në Afganistan, Çeçeni dhe Siri.

Ai ka qenë një prej liderëve të grupit Wagner në Siri, për çka është futur në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, më 2021.