Ministri i Brendshëm serb, Alleksandar Vullin ka reaguar më 11 dhjetor ndaj kritikave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së lidhur me deklaratat e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë.
Vullin tha se “asgjë nuk mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar”.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja më 10 dhjetor dënuan mohimin e masakrës ndaj popullatës civile shqiptare në Reçak në vitin 1999, duke thënë se ky krim është ‘i dëshmuar’.
SHIKONI EDHE: SHBA: Mizoritë në Reçak janë të dokumentuara mirëForcat policore e ushtarake serbë në Kosovë, vranë më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte gra e fëmijë.
Kjo masakër paraqiti momentin kryesor në vendimin e NATO-s që të nisë intervenimin ajror ushtarak ndaj asokohe, Republikës Federale Serbe (SRJ), për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja reaguan ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Vullin i cili përshkroi më 10 dhjetor masakrën në Reçak si ‘gënjeshtër të madhe dhe fabrikim të jashtëzakonshëm”.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja dënojnë mohimin e masakrës së Reçakut“Të mëdhenjtë po zemërohen me serbët të cilët nuk frikësohen të thonë të vërtetën, sidomos të vërtetën e cila tregon se sa të mëdhenjtë ishin të vegjël para popullit tonë. Filmat nga Kosharja, Pashtriku, Reçaku i xhiruam që zemërimi i fuqive të mëdha dhe frika e disa serbëve të mos e vrasin të vërtetën”, tha Vullin shkruan në njoftimin e Ministrisë së Brendshme serbe më 11 dhjetor.
Vullin përmendi që është krenar, siç tha, që “është pjesë e luftës për të vërtetën”.
“Jam i gatshëm që për këtë të paguaj çmimin edhe politik edhe personal. Koka ime është çmim i vogël për të drejtën e serbëve që për shkak të gënjeshtrave të të tjerëve të mos turpërohen para fëmijëve të vet”, tha Vullin.
Sipas tij asgjë s’mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar.
“Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti flet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja heshtin. Kur gjykatat lirojnë kriminelët e dëshmuar të luftës, Oriqin, (ish-komandantin e Bosnje e Hercegovinës, Naser Oriq), Gotovinën (gjenerali kroat, Ante Gotovina), Ramush Haradinajn (ish-kryeministër i Kosovës), Bashkimin Evropian dhe SHBA-ja heshtin, e kur Prishtina refuzon të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja heshtin. Kur unë e them të vërtetën për Reçakun, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja deklarohen”, vlerësoi Vullin.
Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë, së fundmi janë duke bashkëprodhuar një serial me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.