Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.
Ai nënvizoi se përshkallëzimi i konfliktit do të ishte “kundërproduktiv kur bëhet fjalë për dëshirën e Serbisë” për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Vuçiqi i quajti joproporcionale paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se se numri i forcave serbe në terren “është duke u zvogëluar.”
SHIKONI EDHE: Vërehet lëvizja e një kolone ushtarake në jug të Serbisë"Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000," tha Vuçiq për Financial Times .
Ai tha se Serbia nuk dëshiron konflikt.
"Pse do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Të shkatërrohet pozicioni ynë që kemi ndërtuar për një vit? Ta shkatërrojmë atë brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë. Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do të kërcënojnë pozicionin e saj në negociatat me Prishtinën nën ndërmjetësimin e BE-së”, tha Vuçiq.
Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.
Të shtunën, Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian i kërkuan po ashtu Serbisë t'i tërheqë trupat nga kufiri.
LEXONI EDHE KËTO:
Kosova i kërkon Serbisë t’i largojë trupat ushtarake nga kufiri me tëBorrell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me KosovënShtëpia e Bardhë: Dislokimi i ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, shumë destabilizuesZhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Ajo u sulmua në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Basnjkë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Policia e Kosovës e mori nën kontroll manastirin më vonë atë ditë.
Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.
Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Që nga viti 2013, Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Brukselit.
Normalizimi është vendimtar për përparimin e të dy vendeve drejt anëtarësimit.