Vuçiq: Vendimet e imponuara shkelin Marrëveshjen e Dejtonit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq (djathtas) dhe anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik më 4 gusht në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se vendimet që merren në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të kenë për bazë interesat dhe pajtimin e të tre popujve: serb, kroat dhe boshnjak.

“Ky është thelbi i Marrëveshjes së Dejtonit dhe jo zgjidhjet e imponuara”, tha Vuçiq të mërkurën pas një takimi me anëtarin serb të presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik dhe një delegacion nga Republika Sërpska.n

Takimi ndodh në kohën kur përfaqësuesit serbë po e bojkotojnë pjesëmarrjen në punën e institucioneve shtetërore në Bosnje.

Ky vendim u mor pasi ish-Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar i deritanishëm në Bosnje-Hercegovinë, Valentin Incko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, me 23 korrik vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Pas takimit me Dodikun, Vuçiq tha se "Serbia respekton integritetin territorial të Bosnje -Hercegovinës dhe Republikës Sërpska".

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ruajtur stabilitetin në rajon”, tha Vuçiq.

Ndërsa Dodik tha se në takim i ka shprehur presidentit serb qëndrimin se bashkësia ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë po përpiqet të minojë të drejtat e serbëve, të cilat u takojnë me Marrëveshjen e Dejtonit.

SHIKONI EDHE: Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnje në vitet 1990 midis forcave serbe, boshnjake dhe kroate.

Me këtë Marrëveshje, Bosnja është ndarë në dy entitete - Federata e Myslimanëve dhe Kroatëve dhe Republika Sërpska - të cilat i udhëheqin bashkërisht institucionet qendrore.

Dodik vlerësoi se Bosnje-Hercegovina është një "vend i pamundur", sepse ekzistenca e tij nuk buron nga dëshira e të gjithë banorëve.

Sipas ligjit penal të Bosnje-Hercegovinës, mohuesit e gjenocidit dhe ata që lavdërojnë kriminelët e luftës mund të përballen deri me pesë vjet burgim.

Ligji me ndryshimet e Inzkos ka hyrë në fuqi më 28 korrik.

Parlamenti i Republikës Sërpska të premten miratoi me procedurë urgjente Ligjin për Moszbatimin e Vendimit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë (BeH) Valentin Inzko për ndalimin e mohimit të gjenocidit në këtë shtet.

SHIKONI EDHE: “Do të vdes pa e varrosur djalin”


Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

SHIKONI EDHE: Mlladiqit i konfirmohet burgimi i përjetshëm