Vuçiq: Sulmuesi në Ambasadën izraelite ishte i trajnuar mirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se rritja e nivelit të rrezikut të sigurisë ka të ngjarë që të mbetet në fuqi deri më 2 korrik, duke iu referuar incidentit ku një sulmues plagosi një polic para Ambasadës izraelite në Beograd një ditë më parë.

“Mendoj se do të zgjidhin gjithçka deri të martën dhe më pas gjithçka do të jetë në rregull”, tha Vuçiq për TV Prva.

Niveli i kërcënimeve të sigurisë nga terrorizmi – që u ngrit një ditë më parë – nënkupton shtim të pranisë policore.

Vuçiq po ashtu tha se “sulmuesi ishte jashtëzakonisht i trajnuar mirë” dhe ai sulmoi policin me hark me shigjeta, duke pasur harkun në çantën e tij, “në mënyrë që sulmi të ishte krejtësisht i papritur”.

Gjatë sulmit në Ambasadë, sulmuesi u vra nga polici që u plagos. Gjendja shëndetësore e policit të plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha për televizionin publik serb se dy persona janë arrestuar, duke shtuar se “terrorizmi nuk mund ta mposhtë shtetin”.

Ai tha se aksioni policor po vazhdon në mbarë Serbinë dhe mbrëmë disa lokacione janë kontrolluar dhe dhjetëra persona janë marrë në pyetje.

“Prokuroria do të vendosë se si do të veprohet”, tha Daçiq, duke shtuar se “sinagoga në Beograd ka të ngjarë të ketë qenë caku i parë i sulmuesve”.

SHIKONI EDHE: Arrestohet një person në Beograd lidhur me sulmin pranë Ambasadës izraelite

Sulmuesi i vrarë u identifikua si Millosh Zhujoviq, i cili sipas Daçiqit, ishte nga Mlladenovaci dhe ishte konvertuar në islam.

“Është konstatuar se personi që ka kryer sulmin terrorist është Millosh Zhujoviq [1999], emri fetar Salahudin, i konvertuar, nga Mlladenovaci, i cili është shpërngulur për të jetuar në Novi Pazar”, tha Ministria e Brendshme serbe të shtunën.

Më 29 qershor, policia ka kryer kontrolle në disa lokacione në Novi Pazar, pas dyshimeve se mund të ketë lidhje me sulmin. Novi Pazari, që gjendet rreth 270 kilometra nga Beogradi, është komunë e banuar me shumicë boshnjake.

Sipas agjencisë Associated Press, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit tha të shtunën se “ka pasur një tentim për sulm terrorist pranë Ambasadës izraelite në Beograd.