Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në seancën e së martës të Qeverisë së Serbisë, ku është diskutuar për Kosovën, janë ndarë detyrat në sferën e politikës së jashtme.
“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Duke folur në një konferencë për media në Beograd, ai tha se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar të hënën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Beogradi e ka ditur që Kosova e ka shumicën e mbështetjes në Këshillin e Evropës.
“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq, duke iu referuar vendeve që kanë votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja e tij Parlamentare.
Beogradi i pakënaqur me votën në Këshillin e Evropës
Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi më 24 prill që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare.
Kështu nisën edhe zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e cila u dorëzua nga Kosova qysh në maj të vitit 2022.
Sipas informacioneve nga Brukseli, 33 përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës votuan pro vendimit, shtatë ishin kundër dhe pesë abstenuan.
SHIKONI EDHE:
Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër KosovësKosova një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e EvropësVuçiq tha se vendimi i Këshillit të Evropës për Kosovën është mbivotuar dhe se abstenimi praktikisht nënkupton votë “pro”.
Ai tha se abstenimi i Greqisë - vend i BE-së që s'e njeh pavarësinë e Kosovës - ishte i pritshëm dhe komentoi abstenimin e Ukrainës.
“Ka pasur zhgënjim. Serbia kurrë nuk ka qenë e përmbajtur ndaj integritetit territorial të Ukrainës”, tha Vuçiq.
Serbia ka votuar, po ashtu, kundër Kosovës në Këshill të Evropës, edhe pse me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dy vendet janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Seanca e Qeverisë së Serbisë, ku temë e parë e rendit të ditës ishte Kosova, u mbajt pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, të cilat u zhvilluan më 23 prill.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk mori pjesë në zgjedhjet që u zhvilluan në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte më pak se 4 për qind.
Beogradi zyrtar e cilësoi këtë proces si “muzg të demokracisë” dhe “fitore të serbëve të pakënaqur me situatën atje”.