Vuçiq: Është e rëndësishme të kryhet hetim pas sanksioneve amerikane kundër Vulinit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se "është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim" ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër tij.

"Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim", tha Vuçiq, në reagimin e tij të parë pasi SHBA vendosi sanksione ndaj Vulinit.

Një ditë më parë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit tha se Vulini është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Vuçiq nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Vulini duhet të shkarkohet pas vendosjes së sanksioneve amerikane.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja sanksionon shefin e inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin

Ai tha se për sanksionet ndaj Vulinit dhe qëndrimin e Serbisë do të flasë “nesër, në detaje”.

“Vulin, ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.

Një pjesë e opozitës në Serbi kërkoi shkarkimin e Vulin pas sanksioneve amerikane.

Vulin, presidenti i Partisë Socialiste, e cila është një partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet, u vendos në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në dhjetor të vitit 2022.

Drejtorin e Agjencisë e emëron dhe e shkarkon Qeveria.

Ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviqit, gruas së Slobodan Milosheviqit, ai është sot partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet.

SHIKONI EDHE: Në Serbi kërkohet shkarkimi i Vulinit

Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vulin në krye të BIA-s, i cili në tekstin e rezolutës përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.

Vulin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e tij të ashpër ndaj fqinjëve të tij në rajon dhe miqësinë e tij ndaj Rusisë.

Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti.