Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar të martën Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Sarajevë se ka “shkaktuar krizën” në Bosnje e Hercegovinë (BeH).
“Si, ku dhe prej kur shkruhet diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve”, shkroi Vuçiq në llogarinë e vet në Instagram.
Me këtë, ai iu referua çështjes nga maji i vitit 2023, kur SHBA-ja deklaroi se prona e shtetit të Bosnje e Hercegovinës mund të zgjidhet me ligj shtetëror, e jo me ligj entiteti.
Ai kërkoi nga partnerët amerikanë, siç i quajti ai, t'i përgjigjen se si “kanë ardhur në përfundim dhe në bazë të cilit akt, se prona është e autoriteteve qendrore, dhe jo e entiteteve, siç është shkruar në Marrëveshjen e Dejtonit”.
Vuçiq shtoi se për këtë, ndër të tjera, ata “kanë marrë pjesë në shkaktimin e krizës në territorin e Bosnje e Hercegovinës”.
SHIKONI EDHE: Schmidt u bën thirrje politikanëve në Bosnje të gjejnë zgjidhje për çështjen e pronaveEntiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, është përpjekur vazhdimisht të zbatojë një ligj pronësie që synon transferimin e pronës shtetërore të Bosnjës te Republika Sërpska, pavarësisht se kjo është jokushtetuese.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Bosnje e Hercegovinës, prona shtetërore paraqet sende të luajtshme dhe të paluajtshme që shërbejnë për ushtrimin e pushtetit dhe mund të përfshijë edhe të mira publike (lumenj, male, pasuri natyrore, infrastrukturë komunikacioni etj.)
Pronat shtetërore në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë qenë në dispozicion prej vitit 2005, kur përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnje e Hercegovinë, Paddy Ashdown, vendosi Ligjin për mos lënien në dispozicion përkohësisht të pronës shtetërore. Ai është në fuqi derisa Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës të miratojë një vendim të ri për vënien në dispozicion të pronës në nivel shtetëror.
Në postimin e tij në Instagram, Vuçiq iu referua dispozitave të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila, tha ai, “parashikonte se të gjitha funksionet dhe kompetencat shtetërore që nuk u janë caktuar shprehimisht institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, do t'u takojnë entiteteve”.
SHIKONI EDHE: Serbia dhe Republika Sërpska miratojnë deklaratën ku përmendet edhe KosovaVuçiq paralajmëroi një ditë më parë se do t'i përgjigjet kritikave të Ambasadës Amerikane në Sarajevë në lidhje me të ashtuquajturin kuvendin gjithëserb, të mbajtur në Beograd më 8 qershor. Mirëpo, në njoftim ai nuk ka komentuar vlerësimin e Ambasadës Amerikane për konkluzionet e kuvendit.
“Kuvendi gjithëserb” u mbajt më 8 qershor në Beograd, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe të entitetit serb, Republika Sërpska.
Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend - Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.