Pala serbe e pranoi propozimin për kompromis me Kosovën, me qëllim shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën personalisht jam shumë i kënaqur”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Nish.
Sipas tij, marrëveshja i ka “anët e mira dhe të këqija”, por shtoi se për Serbinë “është e rëndësishme” që njësia speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës dhe “ne të ruajmë paqen”.
Që nga 20 shtatori, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo ka ndodhur pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët e makinave me targa të Serbisë, t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme derisa vozisin në Kosovë.
Masa të ngjashme për makinat me targa të Kosovës, Serbia ka zbatuar tash e sa vite.
Për të mbikëqyrur procesin, Kosova ka dërguar në veri edhe njësitë speciale policore.
Me marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel, serbët do t’i heqin bllokadat, njësitë speciale të policisë do të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku, ndërsa në targa të të dyja palëve do të vendosen përkohësisht letra ngjitëse.
Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian.
SHIKONI EDHE: Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet