Vuçiq thotë se pati bisedë “të dobishme dhe të rëndësishme” me shefin e CIA-s

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën në Beograd se e ka zhvilluar një bisedë “shumë të dobishme dhe të mirë” me drejtorin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Burns e vizitoi Serbinë më herët gjatë kësaj jave dhe Vuçiq i quajti “qesharake” komentet se vizita e zyrtarit të lartë amerikan ishte mbajtur e fshehtë në Serbi, derisa në Bosnje e Hercegovinë ishte transparente, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Beta.

“E dini si ndodh. Bisedoni me të ftuarit tuaj dhe e diskutoni nëse duan ta ndajnë me publikun apo jo. Ne, si një vend serioz dhe SHBA si vendi më serioz në botë së bashku me Kinën, menduam se ishte mënyra më e mirë e mundshme për ta trajtuar vizitën”, tha Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Drejtori i CIA-s në vizitë të pakonfirmuar zyrtarisht në Beograd

Deri para deklaratës së Vuçiqit të shtunën, askush nga zyrtarët në Serbi apo SHBA nuk e konfirmuan e as mohuan vizitën e Burnsit në Beograd.

Vuçiq shtoi se temat e bisedës së tij me shefin e CIA-s ishin “të rëndësishme për të ardhmen” e rajonit dhe të Serbisë, dhe se takimi mes tyre ishte “i denjë” dhe “i rëndësishëm”.

Më 23 gusht, Burns e përfundoi një vizitë dyditore në Kosovë, pasi më parë kishte vizituar Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.

SHIKONI EDHE: Pas takimit me Kurtin, shefi i CIA-s përmbyll vizitën në Kosovë

Burns u takua në Prishtinë edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, si dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.