Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nisma e radhës e bashkësisë ndërkombëtare mund të jetë përjashtimi i Federatës Ruse nga Kombet e Bashkuara për të përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Ata planifikojnë të thërrasin një debat për përjashtimin e Rusisë nga OKB-ja duke u bazuar në nenin 6 të Kartës së OKB-së. Pas kësaj do të ketë presion mbi Kinën për të ndryshuar Rezolutën 1244 dhe pas ndryshimit të Rezolutës 1244 nuk do të kemi bazë ligjore që të thirremi në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur integritetin tonë territorial, siç e kemi sot. Dhe më pas do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete të NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë”, tha Vuçiq.
Këto deklarata ai i bëri pas një mbledhjeje urgjente të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u miratua një rezolutë që dënon pushtimin rus të Ukrainës. Serbia e dënoi pushimin rus dhe votoi për këtë rezolutë.
SHIKONI EDHE: Asambleja e Përgjithshme me rezolutë kundër pushtimit rusSerbia me notë proteste për Turqinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha po ashtu se Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka përgatitur një notë proteste për Turqinë, pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Turqia do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Nëse do ta dorëzojmë ose jo [notën e protestës] do të vendosim sonte. Sigurisht, ne nuk e shohim këtë si një lëvizje miqësore”, tha Vuçiq.
Më 1 mars, Erdogan pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Turqia e mbështetë dhe do të avokojë për pranimin e Kosovës në NATO.
“Nuk kemi nevojë për lejen e askujt për të mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO. Ne kemi ndërmarrë hapa, siç bëmë në rastin e njohjes, po ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Erdogan.