Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje të enjten gjatë një takimi të jashtëzakonshëm të Qeverisë serbe për formimin e një ekipi për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në takimin në Beograd, ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, Vuçiq u kërkoi të pranishmëve të luftojnë më shumë në politikën e jashtme, përmes bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës.
“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, tha Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Qeverinë e re të Serbisë e presin detyra të vështiraVuçiq tha se janë disa “gjëra të rëndësishme” për të cilat duhet të pajtohen, pa marrë parasysh se brenda një kohe të shkurtër do të formohet Qeveria e re e Serbisë.
Ai tha se Serbia përballet me sfida të vështira, duke përmendur dialogun me Kosovën, si dhe mundësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai kërkoi nga Qeveria ta formojë një ekip dhe t'ua dërgojë të gjithëve një dokument joformal, në të cilin do të paraqitet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.
Vuçiq e pranoi, megjithatë, se “shanset tona janë minimale”.
SHIKONI EDHE: Kosova bën hap drejt anëtarësimit në Këshillin e EvropësAi ka kërkuar ndryshim në qasje dhe si argument kryesor kundër pranimit të Kosovës të përmendet se Prishtina nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo se “Kosova nuk është shtet”.
Ndërkohë, ai tha se kryetarja e Kuvendit të Serbisë duhet ta vazhdojë punën për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe diskutimet për kushtet e zgjedhjeve lokale në Beograd.
Ai tha se zgjedhjet nuk do të mbahen para 17 majit, pa përfunduar çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në takimin e jashtëzakonshëm ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të sektorit të sigurisë, ushtrisë, policisë dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike.