I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve me diplomatët perëndimorë në Beograd, “tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”.
“Kemi pasur një diskutim intensiv, të vështirë, por edhe të hapur, dhe ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha Lajçak.
“Për ne, zbatimi në kohë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe integrimin e rajonit”, tha ai.
Veç Lajçakut, në takimet me Vuçiqin, morën pjesë edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Vuçiq tha pas takimit se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ai tha se ka “shqetësim dhe rezervë për një çështje e rëndësishme”, por nuk dha më shumë detaje, meqë tha se nuk mund të flasë për këtë pasi propozimi nuk është publik.
Vuçiq u tha gazetarëve se gjatë takimit me diplomatët perëndimorë "ishte përballur pa mëdyshje me problemet dhe sfidat" që do t'i viheshin Serbisë nëse nuk pajtohej me planin e propozuar. Ai shtoi se në ditët dhe javët në vijim do të zhvillojë konsultime me anëtarët e Qeverisë së Serbisë, Parlamentin dhe “të gjitha grupet e rëndësishme shoqërore”.
Ai ka përsëritur se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet urgjentisht.
“Është urgjente sepse vetëm pas kësaj është i mundur diskutimi dhe kthimi (i përfaqësuesve të serbëve) në institucionet (e Kosovës) dhe çdo lloj normalizimi i situatës”, tha Vuçiq.
Emisarët ndërkombëtarë shkuan në Beograd, pas takimit që patën në Prishtinë.
Paraditen e 20 janarit, pesë diplomatët qëndruan në Prishtinë, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas këtij takimi, në një deklaratë para mediave, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.
SHIKONI EDHE: Lajçak me përshtypje të ndryshme nga Prishtina dhe BeogradiNdërkaq, nga kabineti i kryeministrit Kurti thanë se për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin kryeministri Kurti e vlerëson si “bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.
Po ashtu, thuhet se u diskutua për të drejtat e pakicave.
Propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.
Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.
Plani, në të cilin ka pasur qasje REL, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Presioni për themelimin e Asociacionit
Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.
Formimi i Asociacionit është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, ndërsa dy vjet më vonë është arritur pajtimi për parimet.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në frymën e Kushtetutës, përkatësisht nenin 3 për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt për “të drejtat dhe liritë themelore” dhe “të drejtat e komuniteteve dhe anëtarëve të tyre”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. Kurti ka argumentuar se institucionet monoetnike bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tyre, ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.
FES nuk zbuloi pjesë nga versioni i ri i draft-statutit, por tha se është i harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Friedrich-Ebert-Stiftung: Draft-statuti i Asociacionit, bazë e mirë për diskutim