Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha më 14 prill në Beograd, pas një takimi me të Përfaqësuesin e Lartë gjerman për Bosnjë e Hercegovinën (BeH), Christian Schmidt, se ai nuk ishte dakord me vendimin e Schmidtit për të pezulluar Ligjin për pronat e paluajtshme në Republikën Sërpska (RS).
Schmidt dhe Vuçiq ranë dakord se ruajtja e paqes në Bosnjë e Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin, është vendimtare për përparimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Ata diskutuan për situatën në rajon, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë, ku Schmidt përdori fuqitë e Bonit për herë të parë më 12 prill. Këto fuqi parashohin që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë mund të paraqesë ose ndryshojë ligje, të shkarkojë zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar politikë, si dhe zyrtarë të tjerë.
SHIKONI EDHE: Përfaqësuesi i Lartë anulon vendimin e Republikës Sërpska për pronat shtetëroreSipas faqes së internetit të presidentit të Serbisë, “Schmidt shprehu pikëpamjen e tij për arsyet e përdorimit të fuqive të Bonit, ndërsa Vuçiqi shprehu mospajtim të qartë me vendimet e fundit dhe zbatimin e fuqive të Bonit, të cilat ai beson se nuk i kontribuojnë stabilitetit ."
Të martën, më 12 prill, Schmidt pezulloi dekretin e presidentes së Republikës Sërpska, Zheljka Cvijanoviq, për shpalljen e Ligjit për pronat e paluajtshme që përdoren për funksionimin e autoriteteve publike. Schmidt tha se ky vendim do të vlejë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.
Kushdo që nuk respekton vendimin e Përfaqësuesit të Lartë mund të dënohet, pasi një gjë e tillë konsiderohet krim.
“Vendimet që mora sot nuk e minimizojnë në asnjë mënyrë statusin e entitetit të Republikës Sërpska”, deklaroi Schmidt më 12 prill gjatë një konference për media.
Ndërsa, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjes, më 1 prill kishte deklaruar se "prona e Republikës Sërpska është pronë e Republikës Srpska dhe këtu nuk ndihmon as Boni dhe as fuqitë tjera".
Ambasada ruse në Sarajevë të mërkurën paralajmëroi se qëndrimi i Perëndimit mund të shkaktojë “destabilizim” në Bosnje e Hercegovinë, një ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, anuloi një ligj separatist etnik serb.
Ambasada ruse në Sarajevë e cilësoi lëvizjen e Schmidt si “të paligjshme” dhe bëri thirrje për anulimin e tij nga bordi drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes, organ ndërkombëtar që ende mbikëqyrë procesin e paqes në Bosnje e Hercegovinë.
Reagimi i Moskës pasqyron tensionet në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, i ndarë tradicionalisht mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ku Rusia kërkon të zgjerojë ndikimin e saj.
Frika se këto tensione do të përshkallëzoheshin janë rritur që kur Kremlini pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit.
SHIKONI EDHE: Rusia paralajmëron Perëndimin për “destabilizimin” e Bosnje-HercegovinësLigji për pronën e paluajtshme u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska më 5 prill, pasi ishte miratuar në Parlamentin e këtij entiteti më 10 shkurt.
Ky ligj parashihte që pronat e paluajtshme në pronësi të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës të bëhen prona të Republikës Sërpska.
Sipas ligjit të anuluar, pasuria e paluajtshme që përdoret nga institucionet e etnive, nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe shërbimet e tjera publike të themeluara nga Republika Sërpska, duhet të regjistrohen në këtë entitet.