Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se rishkrimin e kufijve me Kosovën dikur e ka parë si zgjedhje, por shtoi se këtë nuk e mendon më, pasi “rrethanat tani kanë ndryshuar”.
Vuçiq i bëri komentet në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku për të dytën ditë me radhë u diskutua për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve se cila është zgjidhja e tij për Kosovën, Vuçiq tha se situata politike ka ndryshuar “jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me vullnetin e fuqive të mëdha”.
“Pozicioni nuk mund të jetë i njëjtë para dhe pas vitit 1999, as pas vitit 2008, as pas vitit 2010”, tha Vuçiq duke shtuar se “disa veprime e kanë vështirësuar pozitën e tij”.
“Nuk po fsheh asgjë, kam menduar se demarkacioni i kufirit është zgjidhje. E kam kuptuar se kjo është e pamundur, sepse të gjithë më jeni hedhur në kokë”, tha Vuçiq, pa dhënë detaje se si e sheh zgjidhjen.
Ideja e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, është shpalosur në vitin 2018 nga vetë presidentët e atëhershëm të këtyre dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
Video nga arkivi i REL-it.
Your browser doesn’t support HTML5
Megjithatë, kjo ide ka hasur në reagime për dhe kundër, si në Kosovë e Serbi, ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare.
Kritikët kanë thënë se ajo do të mund të shkaktonte efekt domino edhe midis vendeve të tjera që kanë çështje të hapura.
SHIKONI EDHE: Pse Bosnja nuk e ka zgjidhur çështjen e kufijve me fqinjët?Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, zbatimi i shumë prej tyre ka ngecur.
Procesi i negociatave pritet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohje të ndërsjellë, por Serbia tash për tash refuzon, duke insistuar në një “zgjidhje kompromisi".
Në seancën e së martës të Kuvendit të Serbisë, Vuçiq tha se “Serbia nuk do ta njohë, as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.