Policia e Kosovës njoftoi se e ka “neutralizuar” një të dyshuar dhe se një pjesëtar i saj është plagosur të enjten, pasi u sulmua me armë zjarri gjatë një operacioni të gjerë hetimor në tri lokacione të ndryshme lidhur me grabitjen e javës së kaluar në një argjendari në Suharekë.
Policia tha se një nga të dyshuarit shtiu me armë zjarri në drejtim të oficerëve policorë gjatë operacionit në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë, duke e plagosur një nga oficerët.
“Zyrtarët policorë, në vetëmbrojtje, janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, tha Policia.
Polici i plagosur është duke u trajtuar në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në kryeqytet dhe se është jashtë rrezikut për jetë.
SHIKONI EDHE: Grabitje e armatosur në Suharekë, plagoset një policKy është polici i dytë i plagosur në lidhje me këtë rast, pasi një oficer ishte plagosur në përpjekje për ta parandaluar grabitjen më 22 nëntor në argjendarinë e Suharekës, një qytet rreth 40 kilometra larg kryeqyteti Prishtinë.
Policia, po ashtu, njoftoi se i ka arrestuar katër të dyshuar gjatë operacionit të së enjtes, duke e çuar në shtatë numrin e të arrestuarave për këtë rast. Një i dyshuar tjetër mbetet në arrati.
Të dyshuarit për grabitjen në argjendari kanë të kaluar kriminale me “dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje”, sipas Policisë.