Vritet një mësues gjatë një sulmi me thikë në një shkollë në Francë

Policë, ushtarë dhe zjarrfikës në vendin e ngjarjes ku u vra një mësues gjatë një sulmi me thikë në një shkollë në Arras, Francë, 13 tetor 2023.

Një mësues është vrarë dhe dy persona të tjerë janë lënduar rëndë si pasojë e një sulmi me thikë në një shkollë në Francë, njoftuan zyrtarët francezë.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se sulmi ndodhi në shkollën e mesme Gambetta, në qytetin verior Arras.

Zyrtarët lokalë njoftuan se sulmuesi është arrestuar.

Sulmuesi bërtiti në gjuhën arabe “Allahu Akbar”, apo në shqip “Zoti është më i madhi” gjatë sulmit, tha policia për agjencinë e lajmeve AFP.

Besohet se sulmuesi është në të 20-at e tij.

Televizioni francez BFMTV raportoi se vëllai i sulmuesit është ndaluar nga policia, po ashtu.

Mësuesi i vrarë ishte mësimdhënës i gjuhës frënge, derisa i mësimdhënësi i edukatës fizike u plagos nga therja me thikë.

Policia tha se e ka situatën nën kontroll.

Sulmet e tilla në shkolla janë të rralla në Francë. Motivet e këtij sulmi ende nuk janë të qarta, por sulmi ndodhi në një kohë kur tensionet nëpër botë janë të larta pas sulmit të fundjavës nga Hamasi në jug të Izraelit dhe kundërpërgjigjes së Ushtrisë së Izraelit në Gaza, si pasojë e të cilave janë vrarë qindra civilë në të dy palët.

Franca i urdhëroi të enjten autoritetet lokale t’i ndalojnë të gjitha protestat pro-palestineze, duke u druajtur për sulme anti-semitike pas sulmit të Hamasit.

Franca është vendi me popullsinë e tretë më të madhe hebraike në botë pas Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.