Guvernatori taliban i provincës Balkh të Afganistanit u vra në një shpërthim në zyrën e tij më 9 mars, thanë zyrtarët.
“Mohammad Dawood Muzammil, guvernatori i Balkhut, është vrarë në një shpërthim këtë mëngjes”, tha për shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë, Asif Waziri, zëdhënës i policisë talibane nga kjo provincë.
Ai bëri të ditur se edhe dy persona të tjerë u vranë në këtë sulm dhe dy u plagosën. Shkaku i shpërthimit nuk u bë i ditur menjëherë.
Disa raporte të mediave lokale thanë se më shumë se 30 njerëz u plagosën nga shpërthimi dhe u dërguan në spital për trajtim.
SHIKONI EDHE: OKB: Regjimi taliban për gratë afgane, më represivi në botëZëdhënësi i qeverisë së udhëhequr nga talibanët, Zabihullah Mujahid, shkroi në Twitter se Muzammil ishte "martirizuar në një shpërthim nga armiqtë e Islamit" dhe tha se janë hapur hetimet për sulmin.
Muzammil është një nga zyrtarët e rangut më të lartë taliban që është vrarë që kur ata u kthyen në pushtet, në gusht të vitit 2021.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani, por pas kthimit në pushtet në vitin 2021, talibanët janë shënjestruar nga Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), një fraksion i organizatës terroriste Shtetit Islamik që është shfaqur si rivali kryesor i talibanëve në luftë.
Muzammil ishte emëruar guvernator i Balkhit vitin e kaluar pasi mbajti të njëjtin pozitë në provincën lindore Nangarhar, ku ai koordinoi një goditje ndaj militantëve të IS-K.
IS-K ka organizuar disa sulme në Afganistan kohët e fundit, duke përfshirë një në janar, në të cilin një sulmues vetëvrasës vrau të paktën 10 persona pranë Ministrisë së Jashtme në Kabul.
Muajin e kaluar, forcat e sigurisë talibane pretenduan se kishin vrarë dy anëtarë të lartë të IS-K.
Qari Fateh, shef rajonal i inteligjencës dhe operacioneve të IS-K, u vra së bashku me një tjetër anëtar në një bastisje në Kabul më 27 shkurt, tha qeveria e udhëhequr nga talibanët.
Një tjetër udhëheqës i lartë i IS-K, Ijaz Amin Ahingar, thuhet se u vra në një bastisje të mëparshme në Kabul.