Së paku tre njerëz janë vrarë të enjten nga një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Ushtria izraelite tha të enjten se kreu një sulm ndaj “infrastrukturës terroriste” në Nur Shams.
Zyrtarët palestinezë dhe agjencia e lajmeve WAFA thanë se një numër i madh automjetesh dhe buldozerësh izraelitë u futën në qytet dhe shkuan drejt kampit të refugjatëve Nur Shams.
Brigadat Al Quds, krahu i armatosur i lëvizjes palestineze Xhihadi Islamik, tha se e ka shpërthyer një bombë të madhe ndaj një buldozeri ushtarak për ta parandaluar bastisjen e ushtrisë izraelite.
Ushtria izraelite tha se atje e eliminoi një militant të Hamasit, i cili dyshohet se ishte përfshirë në planifikimin e sulmeve ndaj izraelitëve.
SHIKONI EDHE: Sulmet izraelite vrasin pesë persona në Bregun PerëndimorIzraeli ka kryer operacione ushtarake pothuajse në baza ditore në mbarë Bregun Perëndimor që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke nxitur luftën në Gazë.
Prej atëherë trupat izraelite apo kolonët kanë vrarë të paktën 744 palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Ramallah.
Palestinezët nga Bregu Perëndimor po ashtu kanë kryer një numër sulmesh ndaj izraelitëve.
Izraeli i pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.
Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite.