Autobusi që bartte emigrantë përplasi për vdekje dy policë bullgarë

Një oficer policie në Bullgari gjatë një pikë kontrolli. Fotografi ilustruese.

Dy oficerë të policisë bullgare humbën jetën mëngjesin e së enjtes, pasi automjeti i tyre u përplas nga një autobus që po transportonte emigrantë. Oficerët u përpoqën ta ndalonin autobusin që po bartte emigrantë, i cili kishte hyrë ilegalisht në Bullgari, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme bullgare.

Incidenti ndodhi në orën 5 të mëngjesit në qytetin Burgas pasi shoferi i autobusit refuzoi të ndalej në dy pika të njëpasnjëshme të policisë kufitare, u tha gazetarëve Stanimir Stanev.

Autobusi me targa turke po transportonte 47 emigrantë, kombësia e të cilëve nuk u bë e ditur.

Autobusi kishte hyrë në një zonë të banuar kur oficerët e policisë me automjetin zyrtar u ndalën në rrugën përballë. Autobusi e goditi automjetin e policisë dhe më pas kaloi sipër tij para se të përplasej me një stacion autobusësh.

Your browser doesn’t support HTML5

Emigrantët poshtërohen në kufirin Serbi-Hungari

Të dy oficerët që ndodheshin në automjetin e policisë mbetën të vdekur në vendngjarje. Nuk raportohet për të lënduar të tjerë, ndërsa autoritetet njoftuan se ka nisur hetimi për rastin.

Deri më tani, nuk është ngritur asnjë akuzë kundër shoferit, por prokurori i qarkut, Georgi Chinev, i quajti veprimet e shoferit "të vetëdijshme dhe të qëllimshme".

Bullgaria, një vend ballkanik me 7 milionë banorë, ndodhet në një prej rrugëve kryesore që kalojnë emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani për të arritur në Evropë. Vetëm një numër i vogël i tyre planifikojnë të qëndrojnë në vendin më të varfër që është anëtar i BE-së, porse e shfrytëzojnë atë si një korridor transiti në rrugën e tyre drejt perëndimit.