Dy njerëz u vranë dhe një tjetër u plagos nga një burrë i cili shtiu me armë zjarri në dy lokacione në qytetin jugor të Zvicrës, Sion, të hënën, dhe pastaj iku nga vendi i ngjarjes, tha policia zvicerane.
I dyshuari u kap dhe u arrestua të hënën pasdite, megjithatë.
Autoritetet ishin njoftuar për një person të plagosur në një parking në Sion, kryeqytetin e kantonit Valais, në orën 07:15, tha policia. Ata e gjetën një grua 34-vjeçare me plagë fatale të shkaktuara nga të shtënat me armë.
Një burrë 41 vjeç u qëllua me armë për vdekje pak minuta më vonë, ndërsa një grua 49-vjeçare u plagos. Dy të vrarët dhe e gruaja e plagosur janë nga rajoni i Valaisit, tha policia.
Policia i filloi kërkimet për të dyshuarin dhe u bëri thirrje qytetarëve ta njoftonin nëse zotëronin të dhëna për një 36-vjeçar që dyshohej si dorasi. Ajo paralajmëroi se i dyshuari ishte i armatosur dhe i rrezikshëm dhe se njerëzit nuk duhet t’i afroheshin atij.
I dyshuari u kap përfundimisht nga policia në rajonin St. Leonard, sipas njoftimit të policisë zvicerane.
Sipas policisë, duket se dorasi i ka njohur viktimat e tij. Policia nuk dha hollësi të tjera e as nuk tregoi se cilat mund të kenë qenë motivet e sulmit.
Prokurorët e kanë nisur një hetim për këtë rast.