Ushtria izraelite thotë se 24 ushtarë të saj u vranë nga sulmet në Gazë

Ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të martën se Izraeli nuk do të pushojë së luftuari në Gazë deri në “fitore absolute”, teksa ushtria e tij e ka regjistruar numrin më të madh të ushtarëve të vrarë në enklavën palestineze.

Njëzet e katër ushtarë janë vrarë të hënën në luftimet intensive në jug dhe qendër të Rripit të Gazës, ku Izraeli është duke sulmuar bastionet e Hamasit, me qëllim të pastrimit të zonave kufitare.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Vetëm në një sulm në zonën kufitare, 21 ushtarë izraelitë kanë vdekur.

Rezervistët kanë qenë duke përgatitur mjete shpërthyese për t’i shkatërruar dy ndërtesa në qendër të Gazës, të hënën, kur një militant ka lëshuar granatë në tankun e afërt, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Shpërthimi i ka aktivizuar mjetet shpërthyese, duke rezultuar me rrëzim të ndërtesave teksa ushtarët kanë qenë brenda.

Numri i madh i të vdekurve mund të shënojë momentum të ri në thirrjet për Izraelin që të pauzojë ofensivën apo edhe t’i japë fund asaj.

Numri i madh i të vdekurve në anën e ushtrisë, ka rritur presionin ndaj Qeverisë izraelite që t’iu japë fund luftimeve.

SHIKONI EDHE: Njëqind ditë luftime: Netanyahu thotë së askush s’mund ta ndalë luftën e Izraelit në Gazë

Kryeministri izraelit Benjamin Nentanyahu është zotuar se do të çojë përpara ofensivën derisa Izraeli të shkatërrojë Hamasin dhe të lirohen 100 pengjet që po mbahen në Gazë.

Mirëpo izraelitët janë të ndarë, në atë nëse mund të realizohen këto dy synime.

Familjet e pengjeve dhe shumë mbështetës të tyre, i kanë bërë thirrje Izraelit të arrijë marrëveshje armëpushimi, pasi koha po ec.

Të hënën, dhjetëra familjarë të pengjeve kanë hyrë në ndërtesën e Parlamentit izraelit, duke kërkuar marrëveshje për të mundësuar lirimin e më të dashurve të tyre.

SHIKONI EDHE: SHBA shpreson se do të zhvillohen bisedime të reja për pengjet në Gazë

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Disa janë liruar ndërkohë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.