Vriten 10 persona nga sulmet ukrainase në Belgorod, thotë Rusia

Zjarrfikësit duke e shuar zjarrin në disa vetura në Belgorod, pas raportimeve për një sulm ukrainas, 30 dhjetor 2023.

Dhjetë persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ukrainase të shtunën në qendër të kryeqytetit provincial të Rusisë, Belgorod, njoftuan autoritetet ruse.

Guvernatori rajonal Vycheslav Gladkov tha se sulmi e goditi një zonë banimi dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve të mbrohen nga sulmet ajrore.

Rajoni Belgorod, i cili shtrihet në kufirin verior me Ukrainën, është përballur me sulme të artilerisë dhe dronëve gjithë vitin, sikur vendet tjera kufitare të Rusisë.

Për këto sulme, autoritetet ruse e kanë fajësuar Ukrainën.

Lexoni edhe këtë: Ukraina thotë se ka shkatërruar një anije ruse në Krime

Dy banorë thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se kishin parë raketat e mbrojtjes ajrore duke u ngritur në qiell, të pasuara nga shpërthime në ajër.

Gazeta Kommersant i citoi burime brenda Komisionit Hetues të Rusisë duke thënë se raketat e lëshuara nga rajoni i Ukrainës, Harkiv, i goditën një qendër tregtare, ndërtesat e banimit dhe një veturë.

Kievi nuk e ka komentuar këtë sulm, i cili rrallëherë merr përgjegjësinë për sulmet brenda shtetit të vet fqinj.

Por, mediumi ukrainas RBC-Ukraine, i citoi burimet ukrainase duke thënë se forcat ukrainase e sulmuan Belgorodin si përgjigje ndaj bombardimeve ruse në qytetet ukrainase në dy ditët e kaluara.

Lexoni edhe këtë: Mbi 30 të vdekur nga sulmi “më i madh” rus në Ukrainë prej se nisi lufta

Së paku 30 njerëz u vranë dhe mbi 160 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse në qytetet e mëdha ukrainase më 28 dhe 29 dhjetor.

Ukraina e ka cilësuar sulmin raketor rus si më të madhin deri tani në luftën pushtuese që Moska e nisi në shkurt 2022.

Cak i sulmeve ishin kryeqyteti Kiev, si dhe qytetet e mëdha si Odesa, Dnipropetrovski, Harkivi dhe Lvini.

Forca Ajrore e Ukrainës tha se nuk kishte parë asnjëherë aq shumë raketa të lëshuara përnjëherë.