Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën vonë se tetë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë luftimeve kundër grupit militant Hezbollah brenda Libanit.
Forcat izraelite e nisën mëngjesin e së martës një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut në jug të Libanit, duke i përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.
Në një video ngushëlluese, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha: “Ne jemi në kulmin e një lufte të vështirë kundër Boshtit të së Keqes së Iranit, i cili dëshiron të na shkatërrojë”.
“Kjo nuk do të ndodhë, sepse ne do të qëndrojmë të bashkuar, dhe me ndihmën e Zotit, ne do të fitojmë së bashku”, tha Netanyahu.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, i cili e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe mbështetet nga Irani.
Ai është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Hezbollahu tha se luftëtarët e saj janë duke luftuar kundër forcave izraelite brenda Libanit të mërkurën. Kjo ishte hera e parë që ky grup raporton për luftime prej se forcat izraelite kaluan matanë kufirit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ushtria izraelite tha se njësitet e rregullta të këmbësorisë dhe ato të blinduara po iu bashkuan operacioneve tokësore në Liban, një ditë pasi Irani lëshoi rreth 200 raketa drejt Izraelit, duke ngjallur frikën se Lindja e Mesme po shkon drejt një konflikti më të gjerë.
Irani tha të mërkurën se sulmi i tij me raketa – sulmi më i madh ndonjëherë kundër Izraelit – mori fund me kaq nëse nuk ka provokime të mëtejshme, por Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të përgjigjen fuqishëm.
Më shumë se 1.900 njerëz janë vrarë dhe mbi 9.000 të tjerë janë plagosur në Liban gjatë pothuajse një viti të luftimeve ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut, por shumica prej tyre janë vrarë vetëm në dy javët e fundit, sipas statistikave të Qeverisë libaneze.
Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, tha se rreth 1.2 milionë libanezë janë zhvendosur si pasojë e sulmeve izraelite.
Netanyahu ka thënë se Izraeli do të vazhdojë ta luftojë kërcënimin nga Hezbollahu dhe ta sigurojë kthimin e sigurt të izraelitëve të shpërngulur nga shtëpitë e tyre në kufi me Libanin.
Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsëritën thirrjet për armëpushim, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot për të diskutuar për këtë çështje.