Veraritë në mes të zonës së luftës

Në vitin 2013, ish-peshëngritësi Pavlo Magalias mbolli hardhi rrushi, sot vreshti "Olvio Nuvo", në shpatet pranë lumit Buh, në Ukrainë. Emri i vreshtit është dedikim për qytetin e lashtë grek Olbia, i themeluar në shekullin e shtatë, rrënojat e të cilit janë vetëm disa qindra metra larg.

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, ky vend i jashtëzakonshëm e ka humbur qetësinë e tij të zakonshme.

"Unë jam vreshtari më i afërt me vijën e parë", i tha Magalias AFP-së, ndërsa dëgjohej zhurma e madhe e artilerisë ruse dhe asaj ukrainase. Ajo që duket si një kapsulë për municionet thërrmuese të ndaluara, shihet e ngulitur mes hardhive të rrushit në vreshtin e tij.

Për shkak të përparimit të tyre të shpejtë në jug të Ukrainës, forcat ruse morën kontrollin e bregut të lumit në jug të qytetit Mikolajiv që në fillim të pushtimit. Kështu "Olvio Nuvo" u "gjend rastësisht në epiqendrën e luftës", tha Magalias.

Në fillim, bombat shpërthenin shumë afër punëtorëve që kujdeseshin për rrushin. Gjatë "këtyre muajve shumë të vështirë", Margalias numëroi jo më pak se 26 kratere në vreshtin e tij. Ai duhej të gërmonte për copëza raketash teksa punëtorët vazhdonin punën e tyre.

Me kontigjentin e armëve të fuqishme të dhuruara nga vendet perëndimore, forcat ukrainase ishin në gjendje të zmbrapsnin forcat ruse. Tani, zhurmat e shpërthimeve të fuqishme mezi provokojnë një vetull të ngritur në mesin e punëtorëve, të cilët janë në gjendje të vlerësojnë kohën mes tymit që ngrihet dhe zhurmës së shpërthimit.

Me origjinë nga Moldavia, Magalias thotë se nuk e ka menduar kurrë të largohet. "Unë i investova të gjitha kursimet e mia në këtë vresht. Tani, nuk kam më para, por i kam të gjitha këto", tha ai, duke bërë me shenjë drejt tokës së tij, e cila prodhon 15.000 shishe verë të kuqe dhe të bardhë në vit.

"Ne nuk po e shqetësonim askënd, po punonim në heshtje dhe erdhën rusët. Pse dreqin janë këtu?", tha Magalias teksa fliste për konfliktin që i ka vrarë "shumë miq". Së bashku me menaxhimin e vreshtit, Magalias është vullnetar për minim në mbrojtjen territoriale të Ukrainës, një aftësi që ai po e përdor në tokën e tij.

Përveç koleksionit të kavanozëve të lashtë të magazinimit të zbuluar në vreshtin e tij, Magalias tani ka një grumbull gëzhojash të bombave thërrmuese të ndaluara që ranë nga qielli.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia nga Ukraina në vitin 2014 rezultoi me humbjen e rreth një të tretës së vreshtave të Ukrainës, duke përfshirë disa nga më të mirat dhe më të famshmet e tyre.

Që nga pushtimi rus, punishtet familjare të përpunimit të verës janë shkatërruar ose pushtuar, dhe të tjera, si "Olvio Nuvo", mbeten të rrezikuara nga granatimet.

Në një rajon që është gjymtuar ekonomikisht nga lufta, veraritë janë burim i mirë të ardhurash për ata që kanë qëndruar. Zyneida Bossa, 66 vjeçe, nuk shqetësohet kur zbulon copëza armësh mes hardhive. "Disa njerëz janë të nervozuar për shkak të raketave, por unë jam mirë. Çfarë mund të bëjmë? Duhet të kesh diçka për të jetuar, ne duhet të punojmë", tha ajo.

Margalias mbetet optimist për të ardhmen e tij dhe punishten e tij të verës. Gjëja më e keqe, thotë ai, me një buzëqeshje sarkastike, është se ky vit është "i jashtëzakonshëm".

"Të tilla, i merrni një herë në pesë vjet! Rrushi jep gjithçka dhe vera do të jetë e shkëlqyer, ndoshta vetëm shije që të mbetet në gojë", bën shaka ai.

Kjo fotografi e bërë më 3 shtator 2022, tregon vreshtin Olvio Nuvo pranë fshatit Paroutyne, në rajonin e Mikolajivit, në mes të pushtimit ushtarak të Rusisë të nisur në Ukrainë.

Në vreshtat e Olvio Nuvos në rajonin e sulmuar të Mikolajivit të Ukrainës, punëtorët teksa vjelin rrush, duhet të tregohen të kujdesshëm nga municionet thërrmuese të shpërndara nëpër fusha. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)