Dy të arrestuar lidhur me vrasjen në Ferizaj

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një zyrtar policor është arrestuar, pasi dyshohet se vrau një person në Ferizaj mbrëmjen e 16 gushtit. Më vonë është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër për bashkëkryerje të veprës penale "vrasje e rëndë", bëri të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.

Nga Policia e Kosovës thanë se një burrë u vra në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt. Viktima, sipas Prokurorisë në Ferizaj, ishte në moshë të shtyrë.

Ngjarja, sipas policisë, ndodhi në orën 19:25.

“Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje është një zyrtar policor i cili është arrestuar”, tha Qazim Reka nga Policia e Kosovës.

"Në lidhje me rastin janë informuar Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe Inspektorati Policor", tha Reka.

Paraprakisht, Reka deklaroi për Radion Evropa e Lirë se dyshimet e para janë që kjo vrasje “nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, tha për Radion Evropa e Lirë se zyrtari policor, që dyshohet se ka kryer veprën penale "vrasje e rëndë", është në ndalim prej 48-orësh.

“Motivet ende nuk dihen”, tha ajo, duke shtuar se zyrtari policor është dorëzuar vetë tek autoritetet.