Tre të dyshuar janë arrestuar më 11 dhjetor për vrasjen e tre personave, më 26 nëntor në Gllogjan të Komunës së Deçanit, konfirmoi Prokuroria Themelore e Pejës.
Tre personat u vranë dhe një tjetër u plagos pas sulmit që iu bë një autobusi i cili udhëtonte nga Gjakova drejt Gllogjanit.
Autobusi po bartte nxënës.
Në një konferencë për media në orët e mbrëmjes të së shtunës, Agim Kurmehaj, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se tre të dyshuarve për sulmin u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Kurmehaj shtoi se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të zbulojë më shumë detaje.
“Nuk mund të jap më shumë informata ngase do të dëmtonin procesin e hetimeve. Edhe pas arrestimit do të vazhdojmë me intensitet të shtuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, tha Kurmehaj.
Çfarë ndodhi në Gllogjan?
Mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.
SHIKONI EDHE: Policia: Nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terroristDisa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin, derisa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.
Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore, më 29 nëntor konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave.
SHIKONI EDHE: Prokuroria: Hetimet në Deçan nuk janë të lehtaProkurorja e rastit, Sahide Gashi, pranoi se “hetimet megjithatë nuk ishin të lehta”.
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, tronditi Kosovën derisa presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti e cilësuan ngjarjen si "tronditëse" dhe kërkuan nga organet e rendit që t'i zbulojnë sa më parë autorët e krimit.
Your browser doesn’t support HTML5