Rezultatet tregojnë se presidentja proevropiane, Maia Sandu, ka fituar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Moldavi dhe do të përballet në balotazh, ndërkaq referendumi për integrimin në Bashkimin Evropian u kthye në favor të kampit “po” mëngjesin e 21 tetorit.
Me më shumë se 99.37 për qind të votave të numëruara, afër 50.38 për qind e moldavianëve kanë votuar me “po” në referendum dhe 49.62 për qind “jo”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha më 21 tetor se referendumi i mbajtur një ditë më parë, së bashku me zgjedhjet presidenciale, është i vlefshëm sepse është arritur pragu i pjesëmarrjes.
“Komisioni do të paraqesë raportin e rezultatit të referendumit te Gjykata Kushtetuese, e cila duhet që brenda 10 ditësh t’i konfirmojë apo mohoj rezultatet”, tha komisioni.
Rezultati përfundimtar i referendumit, që deri natën vonë ishte në favor të atyre që kundërshtojnë integrimin në bllokun evropian, duket se u ndikua nga votuesit nga diaspora e fuqishme e Moldavisë.
Ndërkaq, në orët e para të 21 tetorit, presidentja Sandu tha përmes një deklarate se votimet ishin nën një sulm “të paprecedent” nga “grupet kriminale” që tentuan të blinin qindra mijëra vota, në përpjekje “për të minuar procesin demokratik”.
Sandu – që garoi për rizgjedhje – doli e para nga 11 kandidatët që garuan në zgjedhjet presidenciale, duke forcuar epërsinë e lehtë, që kishte në nisje të numërimit të votave ndaj kandidatëve të tjerë, por nuk arriti të merrte 50 për qind të votave të nevojshme për të shmangur rundin e balotazhit.
SHIKONI EDHE: Rezultatet fillestare i japin epërsi të lehtë presidentes proevropiane në MoldaviMe më shumë se 98 për qind të votave të numëruara, Sandu është e para me 42.07 për qind të votave dhe në rundin e dytë do të përballet me socialistin prorus, Alexandr Stoianoglo, i cili ka fituar 26.31 për qind të votave.
Rundi i balotazhit do të mbahet më 3 nëntor.
Ndërkaq, rezultati i referendumit është shumë më i ngushtë, pasi 50.1 për qind e votave të numëruara janë për “jo”, ndërkaq 49.9 për “po”.
Shumë vëzhgues i kanë cilësuar votimet e së dielës në Moldavi si kritike për të ndihmuar që të përcaktohet drejtimi që do të marrë shteti: nëse do të vendosë për raporte më të ngushta me Evropën dhe Perëndimin apo të kthehet nga Rusia.
Sandu tha se ka “dëshmi” që grupet kriminale dhe forcat e huaja kanë tentuar të ndërhyjnë në zgjedhje, por nuk përmendi asnjë shtet me emër.
“Moldavia, sot, por edhe në muajt e fundit, është përballur me sulm të paprecedent ndaj lirisë dhe demokracisë. Grupet kriminale që punojnë me fuqitë e huaja kanë sulmuar shtetin tonë me dhjetëra miliona euro, gënjeshtra dhe propagandë... për ta mbajtur shtetin tonë të bllokuar në paqartësi dhe paqëndrueshmëri”, tha ajo më 21 tetor, duke shtuar se “dëshmitë e qarta” kanë treguar se grupet kriminale kanë tentuar të blejnë deri në 300.000 vota.
“Ne po i presim rezultatet përfundimtare dhe po të përgjigjemi me vendime të fuqishme”, tha ajo përmes një deklarate.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet, referendumi testojnë të ardhmen evropiane të MoldavisëMbështetësit perëndimorë të Kishinjevit vazhdimisht kanë shprehur shqetësim lidhur me ndikimin rus në Moldavi mbi tri dekada pasi ky shtet u pavarësua nga Bashkimi Sovjetik.
Rezultatet e plota paraprake pritet të publikohen më 21 tetor, sipas zyrtarëve të komisionit zgjedhor në Moldavi.
Nëse fiton kampi “jo” në referendum, kjo nuk nënkupton që shteti përjashton anëtarësimin në BE në të ardhmen, por një rezultat i tillë do t’i jepte një goditje të rëndë Sandusë dhe aleatëve të saj proevropianë dhe do të pengonte përpjekjet për anëtarësim në vitet në vijim.
Dalja për referendum ishte mbi 51.4 për qind, apo më shumë se 1.56 milion votues, teksa është raportuar se ka pasur radhë të gjata para vendvotimeve në Moldavi, por edhe në shtetet e tjera, përfshirë në Francë, Rumani, Rusi dhe Greqi.
Dhjetëra vëzhgues nga disa shtete kanë ndihmuar në monitorimin e votimit të dyfishtë.
Ndryshe, presidenti në Moldavi ka fuqi të kufizuara, por Sanduja ka përcjellë mesazhin edhe ndikimin e saj properëndimor duke shtyrë përpara disa reforma dhe kandidaturën formale për anëtarësim në BE të Moldavisë.