VMRO DPMNE-ja, partia më e madhe opozitare në Maqedoni, po përballet me sfidat më të mëdha që nga pluralizmi, e që kanë të bëjnë me demokratizimin-ndryshimin e kursit të veprimit apo vazhdimin politikës së deritashme. Kjo parti konservatore që nga viti 2003 udhëhiqej nga Nikolla Gruevski, i cili për një dekadë ka qenë edhe kryeministër i vendit, apo deri në qershor të këtij viti kur u zëvendësua nga social-demokrati, Zoran Zaev.
Gruevski dha dorëheqje pas humbjes së thellë që pësoi partia e tij në zgjedhjet lokale, por edhe pas burgosjes së shumë bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të këtij viti.
Hristijan Mickovski është figura kyçe e partisë, i cili si sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së, është kandidati i vetëm për zëvendësimin e Gruevskit në postin e partisë, në një kongres të jashtëzakonshëm në Vallandovë, një qytet në Maqedoninë jugore.
Por, kongresi është kritikuar nga shumë figura qendrore të partisë, duke akuzuar për procedura jodemokratike, mbajtjen e tij në procedurë të shpejtuar dhe me imponime nga Nikolla Gruevski për të zgjedhur, siç thonë, njeriun e besuar të tij. Për shkak të kësaj, përveç Mickovskit askush nuk ka pranuar të kandidojë për kreun e partisë.
Ish-anëtarë të lartë të VMRO-së, deputetë, ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë thonë se VMRO-në edhe pas këtij kongresi do të udhëheqë hija e Gruevskit dhe se partia do të përjetojë përçarje të mëdha.
“Nga kjo që ndodhi nga VMRO DPMNE-ja, nuk do të ketë as V e as D. Pas Nikolla Gruevskit, do të kemi Hristijan Gruevski. Ky është fillimi i fundit të DPMNE-së pasi zhvillimet që do të pasojnë, do të jenë përçarëse për partinë. Do të ketë grupe pa komandë dhe secili do të punojë sipas interesave personale".
"Kryetari i ri nuk do të ketë asnjë rol, përveç atij për mbrojtjes e udhëheqësisë kriminale që ka drejtuar partinë deri tani. Grupimet që janë kundër zhvillimeve të tanishme në VMRO, nuk do të rrinë duarkryq, por do të ndërmarrin masa për organizimin e një kongresi të ri”, thotë Jove Kekenovski, një nga ish-themeluesit e VMRO DPMNE-së.
Ngjashëm vlerëson edhe Ilir Luma, njohës i çështjeve politike dhe ish-zyrtar i lartë i Partisë së Prosperitetit Demokratik, partisë së parë demokratike të shqiptarëve në Maqedoni. Ai thotë se me Hristijan Mickovskin, i afërt me ish-kreun e partisë, Gruevskit, VMRO-ja do të vazhdojë me pengimin e proceseve reformuese në vend.
“VMRO-ja ende nuk është çliruar nga diktati brendapartiak, i trashëguar nga ish-lideri i saj partiak, Nikolla Gruevski. Në planin ndërkombëtar edhe më tej do të vijë në shprehje qëndrimi i ngurtë i kësaj partie karshi çështjes së emrit që ka Maqedonia me Greqinë. Pra, ajo gjithnjë do të bëjë përpjekje që të bëjë pengesa që të mos ketë ndonjë zgjidhje adekuate që e mban peng vendin për të ecur në rrugën e integrimit eutoatlantik”, vlerëson Luma.
VMRO-ja njihet në opinion edhe me politikat e saj nacionaliste. Kjo parti në vazhdimësi ka kundërshtuar kërkesat e shqiptarëve për avancimin e statusit juridik në shtet. Madje, shumë herë ka organizuar edhe protesta e aksione të ndryshme. Kjo parti fajësohet edhe për zhvillimet në Kumanovë, dy vite më parë që lanë më shumë se 20 të vrarë, rastet “Monstra”, “Sopoti”, dhunën në Kuvend raste tjera.
Jove Kekenovski nuk beson se kjo parti mund të ndryshojë kursin e veprimit sa i përket raporteve ndëretnike.
“VMRO-ja nuk mund të demokratizohet me njerëz të tillë, e aq më pak të reformohet. Ai ndoshta vetë mund të ndryshojë qëndrimin ndaj shqiptarëve, por nuk do të ketë autoritet që ta imponoj tek anëtarësia e gjerë”, thotë Kekenovsi, ish-themelues i VMRO-së.
Edhe analisti Ilir Luma mendon se për ndryshimin e veprimit në raport me shqiptarët në VMRO, duhet të ndodhin ndryshime të mëdha.
“Vlerësoj se nuk mjaftojnë vetëm se deklaratat që jepen nga disa bartës të funksioneve në VMRO, sepse kjo parti nuk do të ketë guximin që të zhvishet nga koncepti i saj nacionalist. Unë jam skeptik se mund të ndodhë diçka në relacionin e VMRO-së me shqiptarët, të cilët kanë probleme të mëdha brenda Maqedonisë e që duhen të zgjidhen. Pra, vlerësoj se VMRO-ja do të vazhdojë të bëjë obstruksione karshi kërkesave të shqiptarëve për një avancim të statusit të tyre juridiko-kushtetues”, thotë Luma.