Mickoski: Nuk jemi bullgarë

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, deklaroi të enjten se nuk është optimist për zgjidhjen kontestit me Sofjen derisa pala bullgare, sipas tij, mohon identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase, apo deri sa të insistojë se “kemi histori të përbashkët që nga Mesjeta e deri në vitin 1945, apo se ne kemi qenë bullgarë”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së tha se dëshiron marrëveshje me palën bullgare, marrëveshje e cila, sipas Mickoskit, nuk do të ishte e njëanshme apo që do të shkelte mbi dinjitetit e palës maqedonase.

“Dua të jem optimist. Ne jemi gjithmonë optimistë se do të ketë një marrëveshje të denjë, se marrëveshja nuk do të jetë e njëanshme, por do të jetë vërtet proporcionale. Por, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri më tani, megjithëse më herët u binda se i kanë zgjidhur të gjitha problemet me fqinjët. Shohim që problemet me fqinjët nuk zgjidhen, përkundrazi. Nuk mund të pranojmë që kemi qenë bullgarë deri në vitin 1945, pra nga Mesjeta deri në 1945 që kemi një histori të përbashkët dhe se ne ishim bullgarë. Gjithçka tingëllon paksa paradoksale”, ka tha Mickovski, teksa komentoi zhvillimet e fundit midis dy vendeve.

SHIKONI EDHE: Fshehja e thelbit të kontestit rrënon bisedimet Shkup-Sofje

Historianët maqedonas dhe ata bullgarë gjithashtu kanë shprehur pikëpamje diametralisht të kundërta për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjithashtu akuzoi Qeverinë maqedonase për mbajtjen në fshehtësi të bisedimeve me palën bullgare, duke hedhur dyshime për heqje dorë nga çështjet që kanë të bëjnë me interesat kombëtare maqedonase.

Paralajmërimet e Mickoskit, kreu i Qeverisë maqedonase, Dimitar Kovaçevski i ka quajtur “patriotizëm të rrejshëm”, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet se “Qeveria po heq dorë nga vijat kuqe të miratuara në Kuvend”.

“Është e papranueshme dhe e palejueshme për cilëndo qoftë parti politike të shfaq marketing politik të ulët dhe të lirë për interesa personale si dhe patriotizëm të rrejshëm. Për mua dhe të gjithë paraardhësit nuk ka dilema as zmbrapsje se lufta jonë ishte për liri, shtet të pavarur dhe sovran. Nuk ka asnjë lëvizje nga pozicionet tona sa i përket vijave të kuqe”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Shkupi dhe Sofja më 25 janar kanë formuara grupe pune, të cilat do të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, përskaj çështjeve të pazgjidhura historike. Këto grupe synojnë që brenda gjashtë muajve të ketë rezultate, që do të çonin në një marrëveshje edhe për thelbin e kontestit, gjuhën dhe identitetin maqedonas, që nuk njihen nga Sofja.

Për shkak të mospajtimeve për gjuhën dhe identitetin maqedonas, Bullgaria në nëntor të vitit 2020 bllokoi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.