Njohësit e çështjeve politike thonë se nëse partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), arrijnë një pajtueshmëri rreth organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidenciale – ashtu siç po kërkon opozita maqedonase – ka kohë të mjaftueshme për të respektuar afatet për formimin e një qeverie teknike, e cila mund të formohet 60 deri në 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Të hënën, VMRO-DPMNE-ja e ka dorëzuar iniciativën për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Parlamentin e Maqedonisë.
Gjatë ditës së diel, lideri i VMRO-s, Hristijan Mickovski, pas mbledhjes së organeve të larta të partisë së tij, kërkoi shpërbërjen e menjëhershme të Parlamentit, formimin e Qeverisë teknike dhe caktimin e datës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidencialet, që pritet të mbahen në prill të këtij viti.
“Kërkojmë menjëherë që kryeministri aktual Zoran Zaev të japë dorëheqje, Parlamenti i Maqedonisë të shpërbëhet, të ketë Qeveri teknike në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës, si dhe mbahen zgjedhjet e parakohshme së bashku me ato presidenciale më 21 prill”, ka deklaruar Mickovski, pas takimit të organeve të larta të VMRO-së.
SHIKONI EDHE: Zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në pranverë?Socialdemokratët e kryeministrit Zaev kanë theksuar se brenda javës do të bëjnë të ditur qëndrimin e tyre, se a janë ose jo për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidenciale. Ndërkohë, ata kanë njoftuar se nuk do ta votojnë iniciativën e VMRO-së për shpërbërjen e Parlamentit, duke thënë se një gjë e tillë nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Nga LSDM-ja njoftojnë se në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, atëherë një Qeveri teknike do të formohet vetëm 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
“Argumentet ‘për’ dhe ‘kundër’ zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë të forta, gjë për të cilat po zhvillohet debat brenda partisë. Si përfundim, mund të them se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, do të sjellë vendim duke u drejtuar kryekëput nga interesat e shtetit dhe interesat e qytetarëve të vendit”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Konstadinov.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet e parakohshme, humbje kohe për MaqedoninëPërderisa partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) disa herë është shprehur se prioritet duhet t’u jepet reformave të caktuara nga Brukseli, të cilat janë kusht për caktimin e datës së nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, thotë se nëse partitë arrijnë marrëveshje deri më 8 shkurt – kur është dhe afati për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale – që të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, atëherë mund të arrihen afatet për formimin e Qeverisë teknike, në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës.
“Nëse deri në fillim të shkurtit dy partitë, VMRO-DPMNE dhe LSDM arrijnë marrëveshje që bashkë me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, mendoj se ka kohë të mjaftueshme për formimin e Qeverisë teknike, duke i respektuar të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinës”, thotë Neziri.
Sipas tij, VMRO-japërmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare synon konsolidimin e partisë, pas përçarjes së grupit të deputetëve që mbështetën ndryshimet kushtetuese, të cilët pasi u përzunë nga partia dhe tani veprojnë si grup i pavarur.
“Qëllimi I kësaj partie është që të përforcojë pozitën e saj në skenën politike të Maqedonisë, duke u konsoliduar brenda saj si një parti monolite dhe jo siç është tani e përçarë në fraksione, me shtatë apo më shumë deputetë të cilët nuk i ka nën kontroll!.
“Unë në këtë kontekst e shoh kërkesën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi anketat nuk e favorizojnë VMRO-DPMNE-në se mund të dalë fituese nga këto zgjedhje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, i cili shton se zgjedhjet e përkohshme parlamentare nuk janë aq të favorshme as për socialdemokratët, të cilët ndonëse mund të marrin ndonjë deputetë më tepër, por sipas tij, ata nuk do të arrijnë të marrin deputetë të mjaftueshëm që sigurojnë dy të tretat e votave në Parlament, e që janë të nevojshme për realizimin e reformave.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Nikolla Dujovski thotë se edhe kundrejt asaj që një pjesë e madhe e ministrave të socialdemokratëve janë shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse ato mbahen, Qeveria e Zoran Zaevit do të humbë shumicën prej dy të tretave të votave, të cilat, sipas tij, u siguruan me shumë sakrifica.
Taktizimi i socialdemokratëve mund të përdoret dhe si truk që të ngushtohet hapësira kohore për formimin e Qeverisë teknike, me këtë, sipas tij, do të anashkalohej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
“Maqedonisë në asnjë mënyrë në këtë moment nuk i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Socialdemokratët taktizojnë duke mos e shprehur qëndrimin përfundimtar të partisë, për të matur pulsin e qytetarëve se a duan të shkojnë në zgjedhje apo qytetarët janë të mendimit se Qeveria përfundimisht duhet të përkushtohet në realizimin e reformave të shumë përfolura dhe që janë vendimtare, sa i përket procesit të integrimit të Maqedonisë në familjen evropiane. Unë mendoj se qytetarët janë për reforma dhe shpresoj këtë qëndrim ta dëgjojnë socialdemokratët”, thotë Dujovski.