Putin kërkon nga industria e mbrojtjes të përmirësojë armët për ushtrinë

Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi nga shefat e industrisë së mbrojtjes ruse që të përmirësojnë punën e tyre dhe të sigurohen që ushtria ruse të marrë të gjitha armët dhe pajisjet ushtarake që i duhen për të luftuar në Ukrainë.

Putin i bëri këto komente të premten gjatë vizitës në Tula, që është një qendër e prodhimit të armëve.

“Detyra kryesore për industrinë tonë ushtarake është që të ofrojë për njësitë dhe forcat që janë në vijën e frontit, gjithçka që ata kanë nevojë: armë, pajisje, municione, në sasi dhe cilësi të duhur në kohën më të shpejtë të mundshme”, tha Putin.

“Është e rëndësishme që të përmirësohen karakteristikat teknike të armëve dhe pajisjeve për luftëtarët tanë, bazuar në përvojën ushtarake që kemi fituar”, tha ai.

Gjatë kësaj jave, Putin tha se ushtria ruse u desh që të mësonte dhe tejkalonte problemet me të cilat është përballur në Ukrainë, dhe premtoi se ushtria do të ketë gjithçka që i duhet për të vazhduar luftën në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Putin thotë se ushtria ruse po përballet me probleme në Ukrainë

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe deri më tani dhjetëra mijëra ushtarë janë dërguar në vijat e frontit.

Por, së fundi ushtria ruse është përballur me ngecje në fushëbetejë.

Gjatë takimit me shefat e industrisë së mbrojtjes, Putin tha se dëshiron të dëgjojë nga ta se si mund të përmirësohen disa probleme – të cilat nuk i specifikoi – dhe shtoi se dëshiron që specialistët e mbrojtjes të punojnë direkt me forcat në terren për të rregulluar armët dhe pajisjet në baza ditore.