Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit më 29 shkurt duke paraqitur këndvështrimin e tij se si po përparon lufta kundër Ukrainës, për raportet e Rusisë me Perëndimin, teksa kërcënoi me pasoja “tragjike” nëse NATO-ja dërgon trupa në Ukrainë.
"Rusia ka armë, të cilat mund të godasin territorin e tyre dhe tani ata po sugjerojnë dhe po e kërcënojnë botën me to dhe e gjithë kjo rrit kërcënimin real të një konflikti bërthamor që nënkupton shkatërrimin e njerëzimit", tha ai.
Duke folur më pak se tri javë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet t’i fitojë me lehtësi, Putini përsëriti narrativin se nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës ishte e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e Rusisë dhe sigurinë.
“Pavarësisht vështirësive dhe shijes së hidhur të humbjeve, njerëzit e mbështesin këtë zgjedhje”, tha ai për “operacionin e posaçëm ushtarak”, formulimin që përdor Kremlini për t’iu referuar pushtimit të Ukrainës që Moska nisi në shkurt të vitit 2022.
SHIKONI EDHE: Gabimi strategjik i Putinit “ishte se zgjodhi Perëndimin si armik”Në pjesën e parë të fjalimit, që ai e mbajti para dy dhomave të Parlamentit rus dhe Këshillit të Federatës, ai u fokusua më shumë te Perëndimi, duke e akuzuar atë se “po tenton të na tërheqë në një garë armësh”, duke “ u përpjekur që të na lodhë”.
“Perëndimi nuk po tenton vetëm që të na pengojë në zhvillimin tonë; në vend të Rusisë, atyre u duhet një vend vdekjeje”, tha ai, duke shtuar se në të njëjtën kohë, Perëndimi “i ka bërë keq llogaritë”.
SHIKONI EDHE: NATO nuk planifikon dërgimin e trupave tokësore perëndimore në UkrainëMë herët, gjatë kësaj jave, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të Evropës të mbajtur në Paris, tha se pavarësisht se tani për tani nuk ka konsensus, nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi për ta ndihmuar Ukrainën, përfshirë edhe dërgimin e trupave perëndimore për të luftuar përkrah Kievit, në mënyrë që të parandalohet një fitore e Rusisë.
Putini tha se një lëvizje e tillë do të rezultonte në "pasoja për intervencionistët" që do të ishin "shumë më tragjike".
Ai, po ashtu, sugjeroi se një përfshirje e Perëndimit do të rriste mundësinë e një lufte bërthamore botërore.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kyçë evropianë thanë gjatë kësaj jave se nuk kanë plane që të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë.
Përderisa hodhi poshtë raportimet perëndimore se Moska po e shqyrton mundësinë e dislokimit të armëve bërthamore hapësinore, Putini tha se forcat bërthamore të Rusisë janë "në gatishmëri të plotë" dhe se ushtria ka dislokuar armatime të reja në fushëbetejën në Ukrainë.
Lideri rus, po ashtu, tha se raketa e re balistike ndërkontinentale, Sarmat, është futur në shërbim të forcave bërthamore ruse, ndërkaq shteti po përfundon testimin e një rakete dhe dronëve të tjerë bërthamorë.
Fjalimi i Putinit u mbajt para zgjedhjeve presidenciale ruse të parapara më 15-17 mars, të cilat Kremlini shpreson t’i përdorë për të treguar unitetin e kombit në mbështetje të Putinit dhe pushtimit të Ukrainës.
Zgjedhjet ruse kontrollohen ashpër nga Kremlini dhe as nuk janë të lira, e as fer, por shihen nga Qeveria si nevojë për të përçuar një ndjenjë të legjitimitetit.
SHIKONI EDHE: Gjykata ruse e mban në fuqi vendimin që t’ia ndalon garimin në zgjedhje kandidatit kundër luftësPutini është në pushtet në Rusi që nga viti 1999, herë si president dhe herë si kryeministër.
Gjatë fjalimit, Putini nuk përmendi Aleksei Navalny, politikanin opozitar, që vdiq dy javë më parë në një burg në Arktik, në rrethana të dyshimta.
Navalny kishte tentuar të garonte kundër Putinit më 2018, por nuk ishte lejuar nga autoritetet për shkak të një dënimi të mëparshëm për mashtrim, rast që ishte parë gjerësisht si i motivuar politikisht.