Pse për Putinin ka rëndësi që atletët rusë të garojnë jashtë shtetit?

Presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë pjesë në një sesion trajnimi me pjesëtarë të ekipit kombëtar të xhudos. Shkurt 2019.

Derisa lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë, atletët rusë janë duke shpresuar që do të kthehen sërish në fushat e sportit.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka rekomanduar që garuesit nga Rusia dhe Bjellorusia të marrin pjesë si neutralë në garat e ardhshme ndërkombëtare.

Ky vendim është kritikuar nga Ukraina, e cila ka folur hapur kundër pjesëmarrjes së sportistëve rusë në gara.

SHIKONI EDHE: Ndalohet përdorimi i flamujve rusë dhe bjellorusë në Australian Open

Sikurse edhe shtetet tjera, Rusia i ka shfrytëzuar garat ndërkombëtare për të shpërfaqur fuqinë e atletëve të saj.

Mirëpo çfarë e bën Rusinë të pazakonshme në këtë temë lidhet me nivelin e përfshirjes qeveritare dhe ushtarake për të prodhuar atletë që ftojnë çmime ndërkombëtare.

Në këto tentime përfshihet edhe programi i dopingut, që u ka kushtuar disa atletëve rusë me përjashtim prej garave.

Kampionati i tenisit Wimbledon, i ka hequr ndalesat për lojtarët rusë dhe bjellorusë, për aq kohë sa ata nuk mbështesin qeveritë apo liderët e shteteve të tyre.

Një vendim i tillë është marrë pavarësisht thirrjeve të sportistes ukrainase, Elina Svitolina, që rusët dhe bjellorusët të përjashtohen derisa “ukrainasit e pafajshëm të vazhdojnë të vriten”.

Ministria ruse e Mbrojtjes është përfshirë, me dekada, në programe të trajnimit të sportistëve, ashtu që ata të arrijnë sukses të jashtëzakonshëm.

Lidhjet ushtarake

Programi më i njohur ushtarak në Rusi njihet si Klubi Qendror i Sporteve të Ushtrisë.

Në atë program janë të punësuar qindra trajnerë dhe besohet se në të trajnohen mbi 10.000 atletë.

Klubi – që së shpejti mbush 100 vjet – ka qenë aq i suksesshëm, saqë anëtarët e saj kanë arritur të fitojnë shumicën e medaljeve në garat e fundit olimpike verore, të mbajtura në Tokio më 2021.

Në ato gara, atletët rusë kanë garuar në kuadër të ekipit ROC (Komiteti olimpik rus), pasi ekipi kombëtar ka pasur ndalesë, për shkak të pretendimeve për doping të sponsoruar shtetëror.

SHIKONI EDHE: Vladimir Putin dhe skandalet gjatë 20 vjetëve në pushtet

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është takuar me atletët ushtarakë në një ceremoni, pas garës, për t’iu dhënë atyre çmime, dhe u ka thënë që të nisin menjëherë përgatitjet për Olimpiadën e radhës.

“Nuk ka kohë për të humbur, duhet të nisni punën”, u ka thënë ai atletëve.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, në mënyrë që ju të jeni të përgatitur për garat e radhës”.

Një tjetër program i njohur i sportit, i lidhur me ushtrinë ruse, është DOSAAF (Shoqata vullnetare për Asistim në Ushtri, Aviacion dhe Flotë), e cila daton prej viteve 1920.

Ministria e Mbrojtjes është e përfshirë në financim dhe udhëheqje të kësaj shoqate, e cila drejtohet nga një gjeneral.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar atë si “shkollë të vërtetë të guximtarëve”, të cilët kanë ndihmuar në trajnim të shumë komandantëve ushtarakë, kozmonautëve dhe pilotëve.

Kjo shoqatë ka prodhuar edhe disa medalistë olimpikë, përfshirë Vitalina Batsarashkinan, atleten e parë ruse që ka fituar medalje të artë në Olimpiadën e Tokios.

Ajo është trajnuar në Klubin për teknika ushtarake dhe praktike të sporteve, në qytetin e Omskut, në Siberi.

Duke festuar medaljen e artë, DOSAAF e ka quajtur fitoren “formën më të lartë të patriotizmit”.

Sportistja ruse, Vitalina Batsarashkina.

Dopingu

Uria e Qeverisë ruse për fitore në sport ndoshta dëshmohet më së miri nga programi i dopingut.

Ky program është zbuluar në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2014, që janë mbajtur në Soçi, në të cilat Rusia e ka kryesuar listën e medalistëve.

Në nëntor të atij viti, në hetimet e kryera nga Agjencia Botërore kundër-Dopingut, Rusia është akuzuar për “mashtrime të mëdha”.

Agjencia ka thënë se ka gjetur dëshmi të “ndërhyrjes direkte të shtetit rus” në operacionet laboratorike, ku janë marrë mostrat e atletëve.

Më 2016, një tjetër raport i kësaj agjencie, ka nxjerrë në pah që më shumë se 1.000 rusë – përfshirë medalistët olimpikë – kanë përfituar nga programi i sponsoruar shtetëror për doping, në periudhën 2011-2015.

SHIKONI EDHE: Rusi: Kundërshtohen akuzat për doping sistematik të atletëve

Pas këtyre zbulimeve, Rusia është përjashtuar nga garat ndërkombëtare.

Moska e ka mohuar se udhëheq sistem të dopingut për atletë, dhe presidenti Putin vetëm ka thënë se “sistemi i kontrollit të dopingut në Rusi, nuk ka funksionuar”.

Por pse është kaq e rëndësishme për shtetin rus që të korrë fitore në arenën sportive?

Gazeta e famshme Vedomosti, ka argumentuar se Qeveria ruse dëshiron të përdorë fitoret e atletëve, për të mbajtur rusët të kënaqur dhe të bashkuar, kur gjërat nuk ecin mirë në fushat tjera.

“Neve na duhen fitore si rrugë drejt patriotizmit me doza dopingu”, ka thënë gazeta.

“Fitoret janë pjesë e politikës shtetërore”.

Mirëpo kjo politikë ka rënë në ujë, pasi program shtetëror i dopingut është vënë në pah, dhe Rusisë i është vënë ndalesë në garat ndërkombëtare.

Rusia është përjashtuar më vonë nga garat, edhe për shkak të sanksioneve që i ka vënë Perëndimi për luftën e Moskës të nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Sipas Vyacheslav Fetisov, ish-lojtar i famshëm i hokejit, kampion i dyfishtë olimpik, dhe tani pjesëtar i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar: “Ne jemi vendi më i turpëruar në historinë e sportit ndërkombëtar”.

Përgatiti: Krenare Cubolli