Putini i thotë Azerbajxhanit se mbrojtja ajrore ruse ishte e aktivizuar kur u rrëzua avioni

Avioni i pasagjerëve i rrëzuar në Kazakistan.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha udhëheqësit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, se mbrojtja ajrore ruse ishte e aktivizuar për të zmbrapsur një sulm të supozuar me dronë nga Ukraina, teksa avioni i kompanisë Azerbaijan Airlines, tentoi të ulej në qytetin rus të Groznit.

Megjithatë, Putin nuk tha nëse mbrojtja ajrore ruse ishte përgjegjëse për rrëzimin e avionit.

“Gjatë kësaj kohe, Grozni, qyteza e Mozdokut dhe Vlladiavkazit ishin duke u sulmuar nga dronët luftarakë ukrainas dhe mbrojtja ajrore ruse ishte duke i zmbrapsur këto sulme”, i tha Putini Aliyevit, sipas Kremlinit.

Avioni me pasagjerë i kompanisë Azerbaijan Airlines, u rrëzua më herët gjatë javës afër Aktaut të Kazakistanit, duke vrarë 38 nga 67 personat në bord dhe spekulimet u shtuan se rrëzimi u shkaktua nga sistemet kundërajrore ruse që ishin në gatishmëri për shkak të sulmeve ruse me dronë në rajonin e Çeçenisë, para se avioni të ndryshonte rrugën. Grozni është kryeqyteti i rajonit rus të Çeçenisë.

Më 27 dhjetor, ligjvënësi azerbajxhanas Hikmat Babaoghlu ka thënë se ka “shumë mundësi” se rrëzimi i një avionit u shkaktua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë që ishin në gatishmëri për sulme ukrainase me dronë.

"Kjo është vetëm një mundësi, por një mundësi shumë e madhe, dhe vëzhgimet dhe përfundimet e nxjerra deri tani mbështesin idenë se rrëzimi i avionit nga goditja me armë është më pranë të vërtetës”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej

Po të njëjtën ditë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se ekspertët amerikanë "kanë parë disa tregues që thonë se ka mundësi që avioni të jetë rrëzuar nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore".

Provat përfshijnë pamje nga brenda avionit apara rrëzimit, imazhe ku shfaqen vrima në bishtin e avionit pas rrëzimit, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dëshmitë që lënë të kuptohet se dyshohej për një sulm me dronë në kohën kur aeroplani u përpoq të aterojë në Grozni.

Reuters ka cituar një burim në Azerbajxhan të ketë thënë se rezultatet e hetimeve thonë se avioni u godit nga sistemi Pantsir-S, i Rusisë.

Rrëzimi i avionit ka shkaktuar pengesa në trafikun ajror në Kaukaz dhe përtej. Më 27 dhjetor, një avion i Azerbaijan Airlines, që u nis nga Bakuja drejt qytezës ruse Mineranli Vodi, jo shumë larg Groznit, papritur u kthye mbrapsht pasi pranoi informacione se hapësira ajrore ruse ishte mbyllur. Më vonë kompania ajrore tha se ka pezulluar fluturimet drejt disa qyteteve ruse.