Putini e konsideron “fitore të rëndësishme” marrjen nën kontroll të Avdijivkës

Presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar marrjen nën kontroll të Avdijivkës si “fitore të rëndësishme”, pasi shefi i ushtrisë ukrainase tha më 17 shkurt se trupat e tij u tërhoqën nga ky qytet lindor, ku për muaj të tërë janë zhvilluar beteja të ashpra.

Edhe pse Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se njësitë ukrainase ende janë përreth një fabrike të qymyrit në këtë qytet, përparimi në Avdijivka për Moskën ishte avancimi më i madh që kur trupat e saj morën kontrollin e Bahmutit majin e vitit të kaluar.

Ky zhvillim po ashtu po ndodh disa ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe në kohën kur Ukraina po përballet me mungesë të municioneve, teksa në Kongresin amerikan po pret për miratim një paketën e ndihmës ushtarake për Kievin.

Po ashtu është një sinjal i qartë se si rrjedha e luftës ka kaluar në favor të Moskës pasi kundërofensiva ukrainase dështoi të thyente mbrojtjen ruse vitin e kaluar.

“Kreu i shtetit uroi ushtarët rusë për këtë sukses, për këtë fitore të rëndësishme”, tha Kremlini përmes një deklarate të publikuar në ueb-faqen e tij.

SHIKONI EDHE: Ukraina tërheq trupat nga Avdijivka

Më herët gjatë javës presidenti amerikan, Joe Biden, kishte paralajmëruar se Avdijivka mund të binte nën kontrollin rus për shkak të mungesës së municioneve të ushtrisë ukrainase, pas muajsh kundërshtime nga republikanët në Kongresin amerikan që të miratojnë paketën e re të ndihmës për Kievin.

Biden ka biseduar të shtunën me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe i ka shprehur zotimin amerikan për vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, duke theksuar nevojën urgjente që Kongresi të miratojë ndihmën për Kievin, tha Shtëpia e Bardhë.

Beteja për Avdijivkën, që është qendër industriale dhe gjendet më pak se 10 kilometra në veri të qytetit të Donjeckut, të kontrolluar nga rusët, ka qenë një prej betejave më të përgjakshme në dy vjet luftë.

Shumë e kanë krahasuar betejën për këtë qytet me atë të zhvilluar në Bahmut, ku u vranë dhjetëra mijëra ushtarë.

Avdijivka kishte afër 34.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Shumica e qytetit është shkatërruar nga luftimet, por afër 1.000 banorë vazhdojnë të jetojnë atje, sipas autoriteteve lokale.

Qyteti ka vlerë të rëndësishme historike dhe Moska shpreson që marrja e tij nën kontroll do t’ia bëjë më të vështirë Ukrainës që të bombardojë Donjeckut.

Avdijivka gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut, që Kremlini pretendon se është pjesë e Rusisë pas aneksimit që i bëri në vitin 2022.

Ky qytet në korrik të vitit 2014 ra nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, por ishte rimarrë shpejt nga Ukraina.