Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se haptazi dhe vazhdimisht angazhohet “për të penguar” mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas Osmanit, një angazhim i tillë është kundër frymës së Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që palët arritën në Bruksel në shkurt, por edhe Aneksit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që u arrit në Ohër në fund të marsit.
“Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, tha Osmani.
Këto komente Osmani i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Këto zgjedhje u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe, dhe dalja në to, sipas KQZ-së, ishte vetëm 3.47 për qind.
SHIKONI EDHE: Si u zhvilluan zgjedhjet në veri?Sipas rezultateve preliminare, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotimin e tyre.
Osmani tha se dalja e ulët në zgjedhje ishte për shkak se banorët në atë zonë iu nënshtruan “kërcënimeve dhe shantazheve” që të bojkotonin zgjedhjet.
SHIKONI EDHE: Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri u imponua nga fushata kërcënuese e BeograditEdhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia atribuoi daljen e ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri, atmosferës “së frikësimit dhe shantazhit”.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.