Partitë parlamentare që e përbëjnë koalicionin qeveritar nuk janë në dijeni të nismës së kryetares së kuvendit, Vjosa Osmani për të kërkuar anëtarësim në ‘një organizatë ndërkombëtare’.
Kryeparlamentarja Osmani, ka thënë se së shpejti, Kuvendi i Kosovës do të aplikojë për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare.
“Si një person që është marr me politikën e jashtme për dy dekada, nuk është veprim as i mençur, as i duhur, nëse unë paraprakisht flas se për çfarë organizate ndërkombëtare po bëjmë përgatitje, sepse kjo do t’i mundësonte Serbisë angazhim maksimal që ta parandaloj atë", ka deklaruar Osmani më 26 tetor.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se “nuk kanë informacione për këtë çështje”. As partitë e tjera të koalicionit qeverisës, janë shprehur se nuk kanë informacion për këtë iniciativë.
SHIKONI EDHE: Vetëvendosje: Marrëveshja e Uashingtonit shkel KushtetutënZëdhënësi i partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu i tha Radios Evropa e Lirë se shumë shpejtë do të japin përgjigje në këtë pyetje, ndërsa zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyqi tha se “veprimet e zonjës Osmani nuk paraqesin çështje” për këtë parti.
Me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, Kosova ka rënë dakord që të vendosë moratorium njëvjeçar mbi kërkesën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të vendosë moratorium po ashtu njëvjeçar mbi fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Në seancën e kuvendit, ku ishte ftuar në interpelancë kryeministri Avdullah Hoti për moratoriumin njëvjeçar, kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani pati thënë se qeveria nuk mund ta detyrojë kuvendin ta zbatojë atë, pasi ajo marrëveshje nuk është miratuar në kuvend.
“As nuk ju kemi mandatuar të bëni moratoriumin në emër të gjithë institucioneve, dhe as nuk e kemi miratuar atë”, pati deklaruar Osmani.
Smaka e Mushkolaj: Lojë politike
Eksperti kushtetues Riza Smaka, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një paralajmërim i tillë i kryeparlamentares Osmani është më shumë lojë politike sesa akt që mund të jetë në përgjegjësi të kuvendit.
SHIKONI EDHE: Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?“Kjo është njëfarë manovrimi politik i zonjës Osmani. Tash kanë filluar lojërat politike që nuk janë të ndershme. Kjo pasi duket se zgjedhjet janë afër, pasi kemi një qeveri shumë fragjile, të luhatshme, e cila nuk ka kapacitet as për të qeverisur", tha Smakaj.
Sipas tij, nuk mund të ketë shkelje të marrëveshjes së Uashingtonit pasi Osmani nuk ka autorizime në politikën e jashtme.
“Kuvendi është institucioni legjislativ që më tepër është statik, ndërsa qeveria që është ekzekutiv, është dinamik. Politika e jashtme është në përgjegjësi të qeverisë dhe presidentit, por edhe jo të kuvendit. Në parim, kuvendi nuk i udhëheq politikat e jashtme”, tha Smaka.
Analisti politik Imer Mushkolaj, vlerëson se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Uashington ka nënshkruar marrëveshje në emër të Kosovës dhe jo të institucioneve veç e veç.
“Ai (Hoti) ka vënë nënshkrim në një dokument ku është zotuar se institucionet e Kosovës nuk do të aplikojnë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Nuk mund të ketë përjashtime këtu”, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit, në ‘duart’ e partive politikeSipas tij, deklarimet e kryeparlamentares Osmani duhet parë më shumë nga këndi i “betejës politike”.
“Kosova nuk del serioze ndaj partneres së saj SHBA-së, nëse e shkel këtë marrëveshje. Sigurisht se një hap i tillë do t’i mundësonte Serbisë ta sulmonte Kosovën, në kuptimin e asaj që nuk po i respekton zotimet e saj ndërkombëtare”, deklaroi Mushkolaj.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime shtesë nga kryetarja e kuvendit lidhur me pasojat eventuale të kësaj nisme në raport me SHBA-në, porse nga zyra e saj ka thënë që “kryetarja nuk ka çfarë t’i shtojë fjalimit në kuvend të datës 21 tetor”.
Pa koment rreth kësaj çështjeje janë edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, shtet ky i cili është nënshkrues dhe po mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit.
Heshtje në MPJD
Anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare rëndom udhëhiqen dhe koordinohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarim nga MPJD-ja se si do të veprojë në rast se kuvendi kërkon anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, por që dy ditë nuk ka marrë përgjigje.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në kuvend më 21 tetor pati kërkuar nga MPJD-ja që të mos tentojë të “dërgojë qarkore në kuvend, përmes së cilës kërkon që të zbatohet moratoriumi”.
“Shpresoj që ministrja (v.j. e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla) as do të tentojë të na dërgojë një qarkore të tillë, por nëse tenton, ky kuvend asnjëherë nuk ka shprehur vullnetin për moratorium për mos aplikim”, ka deklaruar Osmani.
SHIKONI EDHE: Fati i marrëveshjes Kosovë-Serbi pas zgjedhjeve në SHBAKrejt çka kryetarja e kuvendit ka zbuluar deri më tash për nismën e saj është që do të jetë “një organizatë e rëndësishme parlamentare”.